Skandal në Lin – Fusha e shkollës shkatërrohet pas një viti, reagimi i fortë i këshilltarit Arber Male
Një vit pas ndërtimit, fusha e jashtme e shkollës “Myredin Bashalli” në fshatin Lin është kthyer në një terren të pashfrytëzueshëm dhe të rrezikshëm për nxënësit. Me gropa, baltë dhe mungesë të çdo standardi minimal sigurie, kjo hapësirë, që duhej të shërbente si vend për edukim fizik dhe argëtim për fëmijët, sot paraqet rrezik real për ta.
Këshilltari bashkiak Arber Male ka ngritur alarmin për këtë situatë përmes një postimi të fortë në rrjetet sociale, ku shpreh indinjatën për gjendjen e fushës dhe për mënyrën si është trajtuar çështja nga institucionet vendore.
🔴 Postimi i plotë i këshilltarit Arber Male:
⚠️ Skandal në Lin!
Fusha e shkollës u shkatërrua për vetëm një vit
Fusha e jashtme e shkollës “Myredin Bashalli” në Lin është kthyer në një terren të rrezikshëm për nxënësit – me gropa dhe baltë, larg çdo standardi. Dhe kjo, vetëm një vit pas ndërtimit!
Në vend që të kërkojnë llogari, drejtuesit e shkollës e promovojnë këtë dështim në rrjete sociale si arritje.
Drejtoria Arsimore dhe Bashkia Pogradec nuk mund ta kalojë me heshtje, këtë turp që i bëhet fëmijëve!
Reagimi i këshilltarit vjen në një kohë kur prindërit dhe komuniteti i zonës janë gjithnjë e më të shqetësuar për mungesën e infrastrukturës së sigurtë dhe të qëndrueshme për fëmijët në shkollat periferike. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Bashkia e Pogradecit apo Drejtoria Arsimore, megjithëse çështja është bërë publike.
Ngjarja shton edhe një herë pyetjet mbi cilësinë e investimeve publike, mungesën e mbikëqyrjes dhe përgjegjësinë institucionale për ruajtjen e infrastrukturës arsimore.