Me rritjen e temperaturave dhe fillimin e pushimeve, të shumtë janë vizitorët dhe turistët të cilët zgjedhin Korçën dhe fshatrat turistikë të saj si një destinacion për t’u njohur me atraksionet kulturore, historike, ecjen në mal dhe sportet e aventurës.
Udhërrëfyesi turistik Nuredin Nazarko tregon se turistët të cilët mbajnë numrin më të lartë dhe vijnë të organizuar janë nga Europa, ndërsa Korçën agjencitë turistike e kanë futur në hartën e tureve të tyre.
Turistët nga Zvicra, Australia, Londra dhe Franca rrëfejnë eksperiencën e tyre në Shqipëri, edhe pse kanë zgjedhur Korçën si një destinacion për të kaluar disa ditë nga pushimet e tyre.
Përpos turistëve të huaj, qarku i Korçës vizitohet edhe nga turistë vendas, kryesisht nga Tirana, Elbasani, Lushnja dhe Durrësi, për shkak të temperaturave disa herë më të ulëta se në vendet e tyre. Fluksi më i lartë i vizitorëve në rajonin juglindor pritet të jetë në muajt korrik dhe gusht, atëherë kur edhe administrata publike merr pushimet vjetore.