Pogradec – Dy peshkatarë, babë e bir, kanë dalë pasditen e sotme në liqenin e Pogradecit për të peshkuar me varkë. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, ata kanë hasur probleme në qëndrimin në varkë dhe kanë njoftuar menjëherë policinë.
Ka qenë policia kufitare ajo që ka ndërhyrë me shpejtësi, duke lokalizuar fillimisht varkën e peshkatarëve dhe më pas duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre të sigurt nga liqeni.
Sipas informacioneve, dy peshkatarëve u rrezikohej jeta për shkak të stuhive të shiut që shkaktuan dallgë të forta dhe erë të fuqishme. Ndërhyrja në kohë e policisë kufitare ka shmangur një ngjarje të mundshme tragjike. Mësohet se gjendja shëndetësore e të dy peshkatarëve është e mirë.