Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore ka prekur edhe tregjet e qytetit të Korçës, ku qytetarët po përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha për të mbuluar nevojat bazë të përditshme. Edhe pse krahasuar me kryeqytetin, çmimet në Korçë konsiderohen më të ulëta, sërish blerësit shprehen se pensionet apo pagat e tyre nuk janë të mjaftueshme për të përballuar rritjen e kostove.
Sipas qytetarëve, rritja e çmimeve ka ndodhur në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve të fundit, duke prekur pothuajse të gjitha kategoritë e perimeve. Një kilogram domate kushton mesatarisht 800-100 lekë, kastravecat rreth 100 lekë, 20-30 leke me shume se vitin e shkuar, ndërsa qepët dhe patatet, që dikur konsideroheshin si më të përballueshmet, janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Nga ana tjetër, tregtarët pohojnë se përveç çmimeve të larta, po përballen edhe me rënie të ndjeshme të numrit të blerësve, ku jashte kamerave ata thonë se kjo ndodh jo vetëm për shkak të fuqisë së ulët blerëse, por edhe për faktin se qyteti ka disa pika tregtie, ku blerësit preferojnë të shkojnë tek ajo që kanë më afër.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet vendore dhe masa konkrete për të ndihmuar shtresat në nevojë për të përballuar rritjen e kostove jetike.