Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Ilir Xhakolli, ka pritur në një takim zyrtar Kryetarin e Bashkisë Pommelsbrunn nga Republika Federale e Gjermanisë, z. Armin Haushahn, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në këtë takim morën pjesë gjithashtu z. Arnold Geiger, Drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit Nehemia Gateway, dhe znj. Arlinda Merdani, Drejtuese e Projekteve Globale pranë të njëjtit fondacion.
Gjatë bisedës, u theksua kontributi i çmuar dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm mes Bashkisë Pogradec dhe Fondacionit Nehemia Gateway, i cili ndër vite ka mbështetur projekte të rëndësishme sociale dhe arsimore në zonë. Në fokus të veçantë ishte dhe mesazhi për ndërtimin e një partneriteti të fortë mes Bashkisë Pogradec dhe Bashkisë Pommelsbrunn në fusha me interes të përbashkët, si turizmi, trashëgimia kulturore dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Kryebashkiaku Xhakolli prezantoi para homologut gjerman potencialet e shumta që ofron qyteti i Pogradecit, duke vënë theksin te bukuritë natyrore, traditat lokale, kultura e pasur dhe trashëgimia e mbrojtur historike. Ai bëri të ditur gjithashtu disa nga projektet në zhvillim që synojnë rritjen e atraktivitetit turistik dhe zhvillimin ekonomik të qytetit buzë liqenit.
Ky takim vjen si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Bashkisë Pogradec dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit konkret me qytete të ngjashme europiane që ndajnë të njëjtin vizion për zhvillim dhe progres.