Një mbrëmje e veçantë është mbajtur në Teatrin e Korçës, ku 7 personazhe të botës së artit dhe kulturës kanë rrëfyer historitë e tyre më të veçanta dhe të patreguara më herët. Josif Minga, Zamira Kita, Koço Qendro, Llazi Balashi, Ilda Plepi, Ylli Trajçe dhe Blerta Belliu ishin yjet e një mbrëmjeje të mbushur me emocione, art, lot dhe të qeshura, që shoqëroi publikun që ndodhej në sallë.
Organizatorja e aktivitetit, Sabina Kodra, tregoi se ky aktivitet risjell për publikun, nëpërmjet historive të fshehura, personazhet kryesore të qytetit, ndërsa kjo nismë do të shëtisë edhe në qytete të tjera.
3 nga artistët të cilët treguan “të fshehtat” e tyre para publikut ishin Ylli Trajçe, Josif Minga dhe Llazi Balashi, të cilët të emocionuar shprehën se Korça është një ndër qytetet me numrin më të lartë të artistëve dhe figurave publike. Përpos kësaj gjëje, ata shkëputën edhe grimca kujtimesh.
“7 zëra” është aktiviteti i parë i këtij lloji i zhvilluar në Korçë, ndërsa pritet që ky aktivitet të zhvillohet edhe me personazhe në qytete të tjera.

