Një vjetori i largimit nga kjo jetë për lirikun korçar Skënder Rusi do të përkujtohej në qytetin për të cilin shkruajti dhe ku zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës së tij profesionale dhe poetike. Mes miqve, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të poetit të ndjerë, nën vargjet e tij të cilat i ka lënë trashëgimi si pjesë e pasurisë së paçmuar të poezisë, në një mbrëmje me emocione dhe lot, është promovuar pas largimit libri “Ditët e mia pa ty”.
Aktorët interpretantë në këtë mbrëmje poetike dhe promovimi të librit, thanë se Skënder Rusi i mungon qytetit, ndërsa shtuan se autori ka lënë një pasuri të madhe artistike nëpërmjet veprave të tij.
Libri “Ditët e mia pa ty”, me krijime lirike nga dorëshkrimet të cilat Skënder Rusi kohëve të fundit kishte shkruar dhe i kishte ruajtur, duket se gjetën dritën për t’u botuar nga familja e tij. I biri, Erisi, shprehet se përsëri ka një numër të madh dorëshkrimesh të Poetit Korçar, të cilat mund të pasohen me botime të tjera.
Skënder Rusi u nda nga jeta më 31 maj të vitit të shkuar, në moshën 72-vjeçare. Prej vitesh ai vuante nga Parkinsoni, i cili e kishte kthyer në një sfidë prej vitesh jetën e lirikut, i cili numëron më tepër se 25 libra poetikë të botuar.

