Hermes Shkullaku largohet nga KF Pogradeci: “Nuk u gjet gjuha e përbashkët me klubin”
Sulmuesi i njohur i KF Pogradeci, Hermes Shkullaku, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk do të jetë më pjesë e ekipit liqenor në sezonin e ardhshëm. Në mesazhin e tij drejtuar tifozëve dhe drejtuesve të klubit, Shkullaku shpreh keqardhjen për largimin, duke theksuar se pavarësisht dëshirës për të vazhduar bashkëpunimin, nuk u arrit një marrëveshje mes palëve.
Në postimin e tij, ai shkruan:
“Të dashur sportdashës të Pogradecit…
Me keqardhje njoftoj se nuk jam më pjesë e ekipit të Pogradecit pasi nuk u gjet gjuha e përbashkët me klubin, pavarësisht dëshirës për të qëndruar në këtë ekip.
Ju shpreh mirënjohje të gjithëve, drejtuesve me të cilët kam punuar ndër vite, të gjithë lojtarëve që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim dhe në veçanti tifozerisë së mrekullueshme pogradecare që më kanë mbështetur gjithmonë.
Ka qenë një kënaqësi e madhe që kam veshur fanellën e Pogradecit dhe ju uroj suksese kudo!
Me respekt,
Hermes Shkullaku”
Largimi i Shkullakut përbën një humbje të ndjeshme për ekipin, pasi ai ka qenë një nga lojtarët më të angazhuar në repartin ofensiv gjatë sezoneve të fundit, duke kontribuar me gola dhe përkushtim në fushën e lojës. Tifozët pogradecarë kanë reaguar me mirënjohje ndaj futbollistit, duke vlerësuar kontributin e tij në ngjyrat bardhekaltër.

