Prej 12 vitesh, në Shqipëri vijon të jetë në fuqi një monatorium që ndalon çdo aktivitet të lidhur me gjuetinë, me synimin për të mbrojtur faunën e egër dhe për të frenuar rënien e numrit të kafshëve dhe shpendëve. Megjithatë, në qarkun e Korçës, dhjetëra gjuetarë e konsiderojnë këtë masë të tejzgjatur si joefektive dhe të padrejtë ndaj atyre që e kanë ushtruar këtë veprimtari në mënyrë të rregullt dhe të licencuar.
Sipas Paqësor Gorellarit sekretarit të Shoqatës së Gjuetarëve në Pogradec, gjatë kësaj periudhe janë shënuar raste të shumta të gjuetisë abuzive, të kryera nga individë të paautorizuar, të cilët kanë shkelur çdo kriter dhe kanë vepruar në periudha ndalimi dhe me metoda shfarosëse. Në ndryshim nga gjuetarët e pajisur me leje, të cilët ndjekin praktika të kontrolluara dhe kontribuojnë në ruajtjen dhe shtimin e popullatës së faunës së egër.
Aktualisht, vetëm në rrethin e Pogradecit rezultojnë të regjistruar rreth 250 gjuetarë të rregullt, ndërsa në të gjithë qarkun e Korçës kjo shifër arrin në afro 1300. Prej më shumë se një dekade, këta gjuhetarë nuk kanë pasur asnjë mundësi të ushtrojnë pasionin dhe aktivitetin e tyre, pavarësisht premtimeve të herëpashershme për rishikimin e monatoriumit.
Gjuetarët shprehen të zhgënjyer nga zvarritja institucionale dhe kërkojnë që ndalimi të mos zgjatet më tej. Sipas tyre, është marrë garanci nga institucionet përgjegjëse që nga muaji shtator i këtij viti do të lejohet hapja e sezonit të gjuetisë për disa specie të egra, por deri më tani nuk ka një vendim zyrtar që konfirmon këtë ndryshim, teksa ata mbeten në pritje të muajit shtator.

