Teksa i cilëson zgjedhjet e 11 majit një ‘farsë politike’, Partia Demokratike vazhdon të ankimojë rezultatet në qarqe. Pas Kukësit dhe Beratit, PD ka depozituar një ankim në KAS edhe për qarkun e Beratit, ku kërkon shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor dhe përsëritjen e procesit të votimit.
Pavarësisht se KQZ ka miratuar tashmë tabelat me rezultatet e 12 qarqeve, PD pretendon se rezultati është manipuluar dhe nuk ka qenë i rregult. Sipas PD, qeveria ka përdorur administratën dhe strukturat shtetërore për qëllime elektorale, duke krijuar një mjedis të pabarabartë dhe diskriminues ndaj opozitës.
Pretendon edhe manipulim të votës së diasporës, kryesisht në Greqi. Në dokument, PD thotë se ka paraqitur prova dhe fakte që sipas saj tregojnë shkelje të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Përmend gjithashtu edhe KQZ, që sipas së cilës, ndonëse i është drejtuar me kërkesa, nuk kanë marrë përgjigje. Pasdite, në orën 16:30 KAS do të mbajë mbledhje për të shqyrtuar të parën kërkesë ankimore të PD-së: Kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve në Kukës, që është edhe qarku i parë ku KQZ certifikoi rezultatin dhe ku opozita kërkon pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.
Ky vendim shihet me interes, pasi pritet të përcaktojë edhe vendimmarrjen për qarqet e tjera që PD konteston. Në rast se ankimimet e tyre do të rrëzohen edhe nga komisioni i Apelimit, kanë të drejtën për ta çuar në Kolegj Zgjedhor. Demokratët pretendojnë parregullsi si në votën brenda vendit, ashtu edhe në diasporë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit me tabelat përmbledhëse të 12 qarqeve, duke vulosur rezultatin 83 mandate për PS, 50 për PD-ADSHM dhe 7 mandate për forcat e tjera të reja; 3 PSD, 2 Mundësia, 1 Lëvizja Bashkë dhe 1 Nisma Shqipëria Bëhet.

