TIRANË, 19 maj /ATSH/ Fermerët e qarkut të Korçës po vazhdojnë me ritme të larta aplikimet për të përfituar nga skemat kombëtare të mbështetjes në bujqësi, ndërsa aplikimet mbyllen në datën 30 maj 2025.
Drejtori i Agjencisë Rajonale e Ekstensionit Bujqësor, Vullnet Gjolla, bëri të ditur për ATSH-në se, këtë vit fermerët po tregojnë interes të veçantë për subvencion në mbështetjen me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi dhe për sektorin e blegtorisë.
“Deri tani në Qarkun e Korçës kanë aplikuar 19 300 fermerë. Deri në fund të periudhës mendohet që kjo shifër do të arrijë në mbi 20 mijë. Ndërsa vijojnë aplikimet edhe për skemat e tjera: për të imtat, bimët mjekësore, prodhim organik, ku paraprakisht jemi në shifrat si në vitin e kaluar”, u shpreh Gjolla.
Sipas Gjollës, këtë vit numri i fermerëve aplikantë, krahasuar me një vit më parë është në rritje të konsiderueshme dhe numri i përfituesve parashikohet të jetë i lartë.
Fermerët në të gjithë vendin, prej disa vitesh po përfitojnë financim nga skemat mbështetëse. Për ta kjo është një ndihmë ekonomike në rritjen e biznesit të tyre.
Skemat e Mbështetjes ofron 8 masa mbështetëse dhe afati për kryerjen e aplikimeve mbyllet më 30 maj.
Skema Kombëtare shkon aktualisht për prodhim dhe kjo skemë ndihmon kostot e drejtpërdrejta të fermerëve për të mundësuar të ardhura ekonomike.
Aplikuesit në grupimet e Bashkimit të Fermerëve do të përfitojnë të parët dhe secili prej tyre do të marrë në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal, duke synuar realizimin e të njëjtit produkt bujqësor, drejt të njëjtit treg dhe të njëjtit protokoll prodhimi.

