Një 21-vjeçar nga Korça ka rënë sërish në prangat e Policisë, pasi ka shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar më herët nga Gjykata e Korçës për veprën penale të lidhur me narkotikët. Shtetasi N. L., i njohur më parë nga autoritetet për përfshirje në aktivitet të paligjshëm me lëndë narkotike, është kapur në flagrancë jashtë banesës së tij, duke shkelur vendimin e gjykatës.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë njoftuan arrestimin e menjëhershëm të të riut, ndërsa çështja i është referuar sërish Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.
Teksti i plotë i njoftimit të Policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë:
– arrestuan në flagrancë shtetasin N. L., 21 vjeç, banues në Korçë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Policia e Korçës vijon kontrollet për zbatimin rigoroz të masave të sigurisë të vendosura nga organet gjyqësore, duke theksuar se çdo shkelje do të ndiqet penalisht pa tolerime.

