Prefekti Nertil Jole pjesë e pritjes zyrtare për Presidentin Macron: “Shqipëria dhe Franca, gjithnjë më afër”
Vizita e Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, në Tiranë është vlerësuar si një moment i rëndësishëm diplomatik dhe një dëshmi konkrete e mbështetjes së Francës për rrugën europiane të Shqipërisë. Në pritjen zyrtare të organizuar nga Kryeministri Edi Rama për nder të Presidentit Macron, mori pjesë edhe Prefekti i Qarkut të Korçës, z. Nertil Jole.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Jole shprehu mirënjohjen për ftesën dhe ndau disa momente nga takimi me Presidentin francez:
“I nderuar të merrja pjesë, me ftesë të Kryeministrit Edi Rama, në darkën zyrtare të organizuar prej tij, për Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.
Vizita e Presidentit Macron në Shqipëri, e dyta brenda 18 muajsh, është një shprehje e qartë e mbështetjes së Francës për Shqipërinë dhe rrugën e saj drejt integrimit europian.
Pata gjithashtu mundësinë e veçantë të shkëmbej disa fjalë me Presidentin Macron mbi bashkëpunimet e ardhshme në kuadër të projekteve të përbashkëta, përfshirë punën për hapjen e Liceut Francez në Korçë – një tjetër urë që lidh të rinjtë tanë me gjuhën, arsimin dhe kulturën franceze.
Shqipëria dhe Franca, gjithnjë më afër!”
Kjo iniciativë për hapjen e një liceu francez në Korçë shihet si një zhvillim i rëndësishëm jo vetëm për arsimin e gjuhës së huaj, por edhe për forcimin e lidhjeve ndërkulturore mes dy vendeve. Në një kohë kur integrimi europian është një objektiv i palëkundur për vendin tonë, afrimi me Francën mbetet një hap i rëndësishëm politik dhe arsimor.

