Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 shënuan një moment kritik për Pogradecin: për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit politik, Partia Demokratike nuk arriti të sigurojë asnjë mandat deputeti të dalë nga kjo zonë. Kjo ndodhi pavarësisht garës të zhvilluar nga kandidati i PD-së, Genti Çela, si dhe aleatët e tij në listën e hapur, Gentian Çala nga Partia e Lirisë dhe kandidatja Brunilda Prifti.
Sipas rezultateve zyrtare, kandidati i Partisë Socialiste, Bledi Çomo, siguroi një fitore të thellë me 8,399 vota preferenciale vetëm në Pogradec, duke lënë pas Genti Çelën me 2,880 vota dhe Gentian Çalën me 2,404 vota . Kjo diferencë e konsiderueshme votash nxori jashtë Kuvendit të gjithë përfaqësuesit e opozitës në këtë zonë.
Situata bëhet edhe më e rëndë për PD-në kur merret parasysh se në primaret e mbajtura më parë, figura të njohura të cilat morën mbështetje dhe kishin potencial të lartë për të grumbulluar vota më tepër nuk ishin në listë. Në vend të tyre u vendos Brunilda Prifti e cila siguroi vetëm 352 vota në rang Qarku.
Më herët në kuvendin e Shqipërisë disa nga deputetët e PD që përfaqësonin zonën e Pogradecit ishin Seladin Jakupllari, Fatbardh Kadilli, Eris Hoxha, Besnik Jaçelli, etj
Analistët politikë dhe vetë kandidatët kanë ngritur dyshime mbi funksionimin e strukturave të PD-së në këtë zonë, duke sugjeruar se mungesa e mbështetjes së duhur dhe ndarjet e brendshme mund të kenë ndikuar negativisht në rezultatin përfundimtar. Kjo situatë kërkon një reflektim të thellë dhe ristrukturim të menjëhershëm të partisë në këtë qytet për të rikuperuar besimin e elektoratit në të ardhmen. Nuk dihet nëse do të ketë PD një unifikim për zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen pas dy vitesh.

