Qarku i Korçës është futur zyrtarisht në hartën e betejave më të forta të zgjedhjeve të 11 majit, ku gjithnjë e më shumë po konsolidohet ideja e një ndarje të barabartë mandatesh mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste: 5 me 5. Kjo ndarje jo vetëm që i jep zgjedhjeve karakterin e një “finaleje politike”, por ka ndezur një përplasje të brendshme brenda vetë listës së PS, ku gara reale nuk është më mes partive, por mes emrave të vetë majtës.
Sipas rregullave të reja zgjedhore, Partia Socialiste në Korçë ka paraqitur një listë të mbyllur me tre kandidatë, ndërsa dy mandatet e tjera përllogariten nga lista e hapur një për një burrë dhe një për një grua, për shkak të detyrimit ligjor të kuotës gjinore. Kjo ka kthyer në një arenë konkurrence të ashpër garën mes tre figurave të forta meshkujsh në listë: Arjan Jaupllari, Bledi Çomo dhe Ilirjan Pendavinji, pasi vetëm njëri prej tyre, nëse konfirmohet ndarja 5 me 5, do të arrijë të sigurojë mandatin përmes votës preferenciale.
Burime të besueshme politike thonë se Drejtuesi Politik i PS Niko Peleshi po mbështet fuqimisht Ilirjan Pendavinjin, duke përfshirë në mbështetjen e tij edhe zona jashtë bastionit tradicional të Korçës. Në mënyrë të dukshme, Peleshi po ndërhyn edhe në Pogradec, aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një “mur imagjinar” ndarës mes korçarëve dhe pogradecarëve në ndarjen e pushtetit lokal dhe përfaqësimit parlamentar. Këtë herë, ai mur duket se po shembet.
Kjo lëvizje po shihet me tension nga strukturat lokale në Pogradec, ndërkohë që edhe Bledi Çomo dhe Arjan Jaupllari kanë intensifikuar fushatat e tyre, duke e ditur se beteja për votën preferenciale do të jetë vendimtare. Çështja nuk është më thjesht hyrja në Kuvend, por mbijetesa politike e secilit prej tyre në një skemë përfaqësimi gjithnjë e më të ngushtë.
Ilirjan Pendavinji është një figurë e testuar politike, i njohur për angazhimin e tij kryesisht në kohë zgjedhjesh, me një prani të kufizuar në terren në periudhat vetëm gjatë fushatës. Megjithatë, ai gëzon mbështetjen e fortë të Niko Peleshi, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve politike, por edhe për lidhje të hershme të ndërtuara nëpërmjet angazhimeve të përbashkëta biznesi. Kjo mbështetje e ka ndihmuar të ruajë një pozicion të favorshëm në listën socialiste, pavarësisht kritikave për distancën me bazën.
Arjan Jaupllari, aktualisht zëvendësministër i Bujqësisë, është një nga figurat më të respektuara në qark, me një lidhje të vazhdueshme dhe të sinqertë me qytetarët, veçanërisht në zonat rurale. Ai shihet gjerësisht si një politikan pranë njerëzve dhe ka ndërtuar një influencë të qëndrueshme falë prezencës në terren dhe përfaqësimit të interesave të fermerëve. Ndërkohë, Bledi Çomo përfaqëson profilin e një profesionisti të konsoliduar në qytetin e Pogradecit, ku është kthyer në një prej figurave më të mbështetura mes socialistëve vendas, duke përfaqësuar brezit të ri një model që kombinon teknicizmin me përkushtimin qytetar.
Zgjedhjet e 11 majit pritet të mos jenë vetëm një provë për forcat politike në garë, por edhe një duel i brendshëm që do të përcaktojë se cilët emra do të mbijetojnë brenda listave, kush do të triumfojë përballë partisë dhe cilat zona do të vazhdojnë të kenë përfaqësim të drejtpërdrejtë në Kuvend. Lufta tashmë ka filluar dhe është më shumë mes njerëzve sesa partive./Pogradecipress.al

