Sektori i Hotelerisë dhe Turizmit rrezikon që këtë vit në juglindje të mos plotësohet me punonjës sezonalë shërbimi. Më të rinjtë drejtohen në Jug ose jashtë Shqipërisë për të punuar, për shkak të pagave disa herë më të larta se në Qarkun e Korçës.
Mungesa është e dukshme për punëtorët e kualifikuar dhe ata të pakualifikuar, për në subjektet e hoteleri-turizmit. Edhe pse është kthyer në trend punësimi i të huajve, në qarkun e Korçës kjo metodë punësimi është pak e aplikuar, thotë Eriketa Koçollari.
Migrimi por edhe largimi sezonal ka krijuar vakum për punonjësit në qarkun e Korçës. Edhe pse pagat janë të kënaqshme në Korçë e Pogradec, ato konkurohen ndjeshëm nga pagat që ofrojnë subjektet në jug ose në vendet e tjera fqinje. Mungesat llogariten deri në 40% të punonjësve, thënë ndryshe mbi 5000 punonjës në të gjitha sektorët e biznesit të vogël dhe të mesëm, shprehet Bujar Muço.
Ndërsa shton se interesi është i ulët edhe nga punëtorët e huaj, të cilët zgjedhin përpara Qarkut Korçë, vendet e bregdetit shqiptar, Italinë ose Greqinë për të punuar.
Por të dhënat nga Drejtoria e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Korçë flasin për një kërkesë për personel prej 200 personash në të gjithë qarkun, ku kërkesën më të madhe për punësim e ka Pogradeci me 106 vende të lira pune, kryesisht: recepsionistë, punonjës pastrimi, masazhatorë, kuzhinierë, ndihmës kuzhinierë, picajolë, hostel, kamarierë, banakierë.
Ndërsa zyrtarisht bëhet e ditur se DRAKPA Korçë për vitin 2025 ka miratuar 8 aplikime për Leje Unike (Qëndrim dhe Punësim) për shtetas të huaj në këtë sektor, duke treguar kështu interesin e pakët nga të huajt për të punuar në sektorin e turizmit.

