Në mbrëmjen e fundit, skena e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” u shndërrua në një arenë emocionesh të thella, ku komedia e zezë norvegjeze “Vetmi në Perëndim” e autorit Martin McDonagh u ngjit me regji të Orgest Karagës. Shfaqja solli në skenë aktorë të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët përmes interpretimit të tyre të fuqishëm, trajtuan marrëdhëniet e tensionuara mes dy vëllezërve që përpiqen të pajtohen me ndihmën e një prifti.
Regjisori Orgest Karaga theksoi se vepra mbetet aktuale edhe sot, duke reflektuar mbi konfliktet familjare dhe përpjekjet për pajtim. Aktori Besian Sulejmani, në rolin e priftit, përshkroi sfidat e personazhit të tij si një ndërmjetës në një situatë të ngarkuar emocionalisht.
Jurgen Liçkollari, aktori i ri pogradecar dhe nismëtari i kësaj shfaqjeje, tregoi se ftesa e tij për bashkëpunim u prit pozitivisht nga kolegët e tij të dikurshëm të studimeve. Ai ndau përvojën e tij në interpretimin e personazhit dhe rëndësinë e kësaj vepre për të.
Shfaqja, e cila zgjati mbi 60 minuta, u zhvillua në një ambient të ngarkuar me tension, ku dy vëllezërit përballen me humbjen misterioze të babait të tyre. Dialogët e mbushur me emocione dhe humor sollën një përvojë të veçantë për publikun, duke reflektuar mbi marrëdhëniet familjare dhe nevojën për pajtim.
“Vetmi në Perëndim” dëshmoi edhe një herë fuqinë e teatrit për të trajtuar tema të ndjeshme dhe për të bashkuar artistë nga trevat shqiptare në një bashkëpunim të suksesshëm.