Peshkëpia, një fshat vetëm 15 kilometra nga qyteti i Pogradecit, po zhytet gjithnjë e më thellë në harresë institucionale. Me mungesën totale të investimeve publike, rrugëve të amortizuara dhe shërbimeve të pakta, fshati ka njohur një shpopullim të ndjeshëm vit pas viti.
Sot në Peshkëpi jetojnë rreth 20 familje, kryesisht të moshuar që kanë zgjedhur të qëndrojnë në vendlindje, pavarësisht kushteve të vështira. Të rinjtë janë larguar drejt qytetit, duke marrë shtëpi me qira në Pogradec për të siguruar akses në arsim dhe punësim, pasi në fshat nuk ekziston as një shkollë.
Shërbimi shëndetësor është minimal: në qendrën shëndetësore të fshatit vjen vetëm disa ditë në javë një infermier, ndërsa për rastet më të rënda, banorët detyrohen të udhëtojnë drejt Spitalit të Pogradecit.
Banorët, të lodhur nga heshtja institucionale, ironizojnë se: “As për zgjedhje nuk vijnë më politikanët. Harresë totale.”
Thirrja e tyre është e qartë: t’u rikthehet dinjiteti dhe vëmendja, që edhe ata të ndihen pjesë e barabartë e territorit, jo vetëm në letra, por edhe në realitetin e përditshëm.

