KKT miraton dy leje ndërtimi për qytetin e Pogradecit – heshtje për objektet e larta
Në mbledhjet e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) janë miratuar dy leje ndërtimi që lidhen me qytetin e Pogradecit. Edhe pse me vëmendje pritej vendimmarrja për objektet e larta, duket se KKT ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me to. Ndërkohë, një hotel dhe një hidrocentral janë përfshirë në vendimet e fundit të këtij institucioni dhe kanë marrë dritën jeshile.
Kompania “Jova Company” ka marrë konfirmimin nga KKT për të ndërtuar një hidrocentral në zonën e Niçës, ndërsa “Terra Construction” ka marrë lejen për ndërtimin e një objekti 10-katësh në qytet, tre prej kateve nëntokësore.
E përbashkëta, sipas burimeve, për të dy projektet e miratuara është se administratorët e tyre nuk janë banorë të Pogradecit.
Zhvillimi i territorit në qytetin liqenor ka qenë një temë e nxehtë debati. KKT duket se i ka zbehur kompetencat e Bashkisë Pogradec, pasi lejet kryesore së fundmi po lëshohen nga Tirana. Ndërkohë, projektet që pritet të betonizojnë Pogradecin janë të shumta dhe tashmë ndodhen mbi tavolinën e drejtuesve të KKT-së, në pritje të miratimit ose refuzimit të tyre.





