Si pasojë e reshjeve të shiut, presidentët e dy ekipeve kanë ndjekur takimin nga dhoma VIP në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu”. “Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante të ndeshjes në Korçë.
Trajneri Gjoka ka qëndruar gjatë gjithë pjesës së parë në këmbë duke dhënë udhëzime për lojtarët dhe duke u munduar t’i qetësojë që të linin pas golin e pësuar dhe të mendonin për pjesën e mbetur. Nga ana tjetër Ilir Daja ka shprehur në disa momente vlerësimin për disa prej lojtarëve të akademisë që i kishte hedhur në fushë si titullar.
* Në pushim të pjesës së parë, trajneri Ernest Gjoka ka shkundur ekipin në dhomat e zhveshjes. Numri një i pankinës korçare nuk ka kursyer britmat për ekipin e vet duke dhënë ultimatumin që në pjesën e dytë skuadra të hynte në fushë me një tjetër marsh dhe të ndryshonte lojën që zhvilloi në pjesën e parë.
* Dëmtimi i Meksit duket se ka shqetësuar mjaft trajnerin e Dinamos. Lojtari u zëvendësua si një ndërrim i detyruar dhe në momentin e largimit nga fusha Daja e ka pyetur për gjendjen. Të njëjtën gjë trajneri ka bërë edhe pas fundit të ndeshjes duke treguar haptazi se meraku i madh ishte dëmtimi i një tjetër lojtari dhe shtimi i mungesave për ndeshjen e radhës.
* Saleh Nasr ka shënuar tre gola dhe për pasojë do të duhej të merrte me vete topin e ndeshjes. Por lojtari nuk e ka bërë fillimisht një gjë të tillë. Ka qënë arbitri Alla ai që e ka çuar topin deri te korridori i stadiumit për të njoftuar më pas lojtarin që, nëse donte, mund ta merrte topin e ndeshjes si kujtim për tregolëshin e shënuar.Nuk kishin si të mungonin ovacionet për trajnerin e Dinamos Ilir Daja nga ana e tifozëve korçare. Në kor sportdashësit korçarë kanë bërtitur disa herë emrin e trajnerit, me të cilin arritën shumë suksese. Daja është përgjigjur me një ngritje dore dhe duartrokitje në drejtim të tifozëve.
PANORAMASPORT.AL

