Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, zhvilloi një takim elektoral në Korçë, ku prezantoi programin politik dhe kandidatët e kësaj force politike për qarkun.
Në një intervistë për mediat, ai u shpreh se objektivi kryesor i partisë është të sjellë një alternativë të re për qytetarët, duke u fokusuar në ndryshimin real dhe jo thjesht në një rotacion politik mes forcave tradicionale.
1. Ku pretendoni të merrni mandat? A do ta pranoni rezultatin, pavarësisht cili është ai, apo do ndiqni frymën klasike të mospranimit të tij?
Ky është një projekt politik afatgjatë, që synon të ofrojë një alternativë të vërtetë për ndryshim dhe jo thjesht një rrotacion politik në Shqipëri.
Sipas sondazheve të kompanive të huaja, mesatarisht na vlerësojnë me 10% të votave në rang kombëtar. Kjo përkthehet në mundësinë për të fituar një mandat në qarqet ku ka më shumë se 10 deputetë, veçanërisht në Tiranë, ku numri i mandateve është më i lartë.
Ne do të luftojmë në çdo qark për t’u paraqitur qytetarëve shqiptarë me alternativën tonë dhe me kandidatët tanë, si për shembull Ilirjani, i cili është një qytetar i thjeshtë, që ka vendosur t’ia dalë me punë të ndershme, jo përmes pazareve apo shfrytëzimit të lidhjeve politike.
2. Partitë e mëdha kanë intensifikuar fushatat dhe po tërheqin pas vetes edhe ata që fillimisht mbështesnin partitë e reja. Përveç kësaj, ato kanë burime të mjaftueshme njerëzore për të mbrojtur votën në numërim. Ju me kë do ta mbroni votën?
Ne kemi një pjesë të anëtarësisë së Partisë Mundësia, të cilët garantojnë se do të mbrojnë votën e qytetarëve shqiptarë. Besojmë se mbrojtja e votës është një nga prioritetet kryesore dhe do të angazhojmë të gjithë mbështetësit tanë për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.
3. Dy nga kandidatët e Korçës janë larguar nga gara pa nisur ende fushata. Si do të fitoni besimin e qytetarëve për t’ju votuar kur ndodhin tërheqje të tilla?
Kandidatët e Partisë Mundësia që synojnë të fitojnë një mandat janë ata që kanë realisht mundësi për t’u zgjedhur, sipas sondazheve. Unë mund të them se mund të fitojmë 140 mandate, por të jemi realistë – kemi 10 deri në 15, ndoshta edhe 20 kandidatë që kanë mundësi reale për të marrë mandat.
Pjesa tjetër e kandidatëve janë mbështetës të rëndësishëm të këtij projekti politik afatgjatë. I falënderoj të gjithë për përkushtimin e tyre, por e kuptoj që të jesh pjesë e një partie të re, të japësh dhe të sakrifikosh, është shumë e vështirë.
Disa kanë vendosur të mos jenë më pjesë e listës, por kjo nuk na ndikon. Ne kemi dhjetëra mijëra mbështetës dhe është normale që nga 180 prej tyre, dikush të ndryshojë mendje.
4. A do të merrni një mandat në Korçë?
Absolutisht, po!
Hajde të të prezantoj deputetin e ardhshëm të Partisë Mundësia! Ilirian Agolli është deputeti i ardhshëm i qarkut të Korçës. Nuk ka djalë më të mirë që mund të përfaqësojë qytetarët korçarë në Parlamentin e ardhshëm! Ai është shembulli i ndryshimit që duhet të ndodhë në Shqipëri.

