14.4 C
Pogradec
14.6 C
Korçë
14 C
Bilisht
13.5 C
Ersekë
13.8 C
Maliq
14.9 C
Liqenas
Friday, April 25, 2025

“Të rrëzojmë “sulltanin” e Korçës.” Ivi Kaso: Do çojmë Niko Peleshin përsëri në SPAK, padi edhe për ujsjellsat e Pogradecit…

- Advertisement -

I ftuar në Podcastin “Mos Hesht” me gazetarin Armand Braho në Pogradecipress.al, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Korçës, z. Ivi Kaso, ka lëshuar një sërë deklaratash të forta për drejtuesin politik dhe kreun e grupit parlamentar të PS, z. Niko Peleshi. Një sërë padish, sipas Kasos, pritet të shkojnë në SPAK së shpejti.

“Sali Berisha foli për firmat e ‘zeza’ të Nikos dhe Nikove i leverdis ta mbajnë vëmendjen e debatit publik, qoftë dhe në nivel qarku, për çështje të cilat nuk janë çështje. Përpiqet ta shpërqendrojë debatin nga firmat e tij të ‘zeza’ dhe çështjet që drejtuesi politik i PS, Niko Peleshi, ka me SPAK-un dhe do t’i ketë shumë më të mprehta në ditët në vazhdim. Do t’i bëj publike shumë shpejt, jo një denoncim, por disa denoncime që PD i ka përgatitur dhe do t’i çojë në organet e drejtësisë për Niko Peleshin personalisht dhe për të gjithë shpuren e vet, me funksione drejtuese në shtet, të cilët me gjithë fuqinë e shtetit e përdorin për t’i siguruar avantazh elektoral PS-së në këto zgjedhje,” – thotë Ivi Kaso.

Përpos paralajmërimit për padi për Niko Peleshin, Kaso shprehet që të njëjtin fat do të kenë edhe ujësjellësat e Pogradecit, nga të cilët po përfitohen shumë para, të cilat do të përdoren për fushatë.

“Do kemi një denoncim shumë shpejt për ujësjellësat e lënë rrugëve në Pogradec, të cilët tenderohen për arsye elektorale, vidhen për arsye elektorale dhe masa e vjedhjes së tyre është e barabartë me angazhimin elektoral dhe me lekët që do hedhin në fushatën elektorale. Dhe në veçanti, janë ujësjellësat e Pogradecit, të cilët tenderohen dhe ritenderohen, hapen segmente të reja, shtohen fonde, vidhen dhe lekët synohen të përdoren për fushatë elektorale,” – deklaroi të dielën në podcastin “Mos Hesht” Ivi Kaso.
Për të sjellë shembullin se si pritet të ndikojnë kallëzimet që opozita e qarkut Korçë do të çojë në SPAK, nga Kaso u përmendën drejtorët e 5D të Tiranës.

“Gjëja që 5D e Erion Veliajt bëri, përveç presionit, shantazhit, shpërndarjes së parave, ishte dhe çelja e kantierëve të panumërt për punët publike në momentin e fushatës zgjedhore. E dua t’ua kujtoj kolegëve të tyre në Korçë, 5N-së ose 5 Nikove thënë ndryshe, faturën që po paguajnë ata.”

Duket se PD-ja e Korçës po përgatit një ofensivë me denoncime të cilat pritet të shkojnë në dyert e SPAK, por ende nga kampi blu nuk dihet kur do të merren këto akte konkrete. Teksa fushata është ndezur, kampet politike po përdorin të gjitha metodat për të luftuar kundërshtarët në qarkun e Korçës.

Mes të tjerash, Kaso ironizoi deklaratën e Peleshit për 7 mandate në Qarkun e Korçës, duke përmendur helikopterët dhe dylbitë e tenderuara në kohën kur ai ishte ministër i Mbrojtjes. Drejtuesi Politik i PD, tha se është pikërisht koha që qytetarët të nxjerrin në pension politik Niko Peleshin, për të mos e bërë “sulltan” të Korçës./Pogradecipress.al

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit