Pas fitores në Shkodër, korçarët kanë rihapur gjithçka rreth objektivave të tyre për mbijetesë. Me një garë plotësisht në lojë dhe mbi të gjitha me një paraqitje që po vjen gjithnjë e më shumë në rritje nga ana e klubit bardhekuq, besimi është shtuar. Këtë gjë e tregojnë shifrat e ndeshjeve të fundit që Skënderbeu ka luajtur në këtë sezon të kampionatit. Pas muajit janar, duket se trajneri Ernest Gjoka ka mbledhur ekipin që po tregon cilësi dhe mundësi për të bërë shumë më tepë sesa ka treguar në këtë sezon. Shifrat flasin pozitivisht për korçarët që vetëm në pesë ndeshjet e fundit kanë grumbulluar aq pikë sa i kishin marrë në dy faza kampionati.
Nëse iu referohemi statistikave, në 18 javë mes fazës së parë dhe të dytë korçarët kanë arritur të marrin vetëm 10 pikë të ndara mes shtatë barazimesh dhe një fitoreje e mbi të gjitha me dhjetë humbje që rënduan pozicionin e ekipit, duke e çuar në vendin e fundit në klasifikim.
Por, pas afrimeve dhe kolaudimit të skuadrës në vitin 2025, në vetëm pesë ndeshje korçarët kanë mundur të marrin 10 pikë, me tri fitore, një barazim dhe vetëm një humbje, edhe kjo tejet e pamerituar përballë Partizanit në një ndeshje që ishte nën kontrollin e Skënderbeut për më shumë se 50 minuta. Këto tregojnë se ekipi është riformatuar dhe mund të bëjë më shumë se kaq për të arritur objektivin kryesor, atë të qëndrimit në kategorinë e më të mirëve për këtë sezon shumë të vështirë.
AXHENDA – Nisur nga pushimi i kampionatit për shkak të hapësirës së ndeshjeve të ekipeve kombëtare, drejtuesit e Skënderbeut kanë përfituar për të dhënë disa ditë të lira për gjithë ekipin. Që pas ndeshjes së fituar në Shkodër, ekipi ka marrë pushimet për tu rikthyer vetëm sot në stërvitje që do të jetë më shumë një seancë e përqendruar në përgatitjen fizike.
Trajneri Gjoka ka bërë gati programin që do të aplikojë deri në fundjave atëherë kur ekipi do të jetë më shumë se i ngarkuar edhe me elementë që do të vijnë nga ekipet e moshave të akademisë Skënderbeu. Më pas prej së hënës së ardhshme skuadra do të marrë formën e plotë, ditë kur do të fillojë puna për të përgatitur ndeshjen e radhës në transfertë me Teutën, një ndeshje shumë e rëndësishme dhe përballje direkte me një rival për mbijetesë./panorama.sport

