Protestë përpara Gjykatës së Korçës nga përfaqësues të komunitetit rom dhe familjarë të Dritson Kurtit, 25-vjeçarit i cili u arrestua në shtator të vitit të kaluar, pasi solli në jetë një vajzë me bashkëjetuesen e tij të mitur, vetëm 13 vjeç.
Sot në gjykatë pritet të zhvillohet seanca e gjykimit paraprak, për të vendosur nëse çështja do të shkojë për gjykim themeli.
Me pankarta në duar, ku shkruhej “Drejtësi për Dritson Kurtin”, protestuesit kërkojnë pushimin e çështjes ose ndryshimin e masës së sigurisë në “detyrim paraqitje”.
“Seanca u shty për shkak se çështja është transferuar nga Prokuroria e Korçës në Prokurorinë e Tiranës. Kjo mund të konsiderohet një fat i mirë për djalin në këtë rast, pasi prokurorja e mëparshme ishte një nga rastet e rralla kur një vepër e tillë klasifikohej me një dënim mbi 25 vite burg. Mund të themi se është pozitive që ajo nuk po e ndjek më çështjen, dhe ka dashur Zoti që Dritsoni të shpëtojë nga një prokurore e tillë, e cila kërkonte 25 vite dënim. Shpresojmë që gjykata dhe prokuroria e re të kenë një qasje më të kuptueshme ndaj kulturës dhe traditave të komunitetit rom. Nga njëra anë, kemi programe për diversitetin kulturor, por nga ana tjetër, kur bëhet fjalë për vepra penale, jepen dënimet maksimale. Shpresoj që as gjykata dhe as prokuroria e re të mos kenë të njëjtin vullnet për të ndëshkuar një të ri, i cili, në fakt, nuk ka kryer ‘asgjë’, por po përballet me një vepër penale që minimalisht parashikon 25 vite burg.”
Gentian Seirani, avokati i Dritson Kurtit:
“Sipas nesh, kjo çështje duhet të pushohet, pasi një nga elementët kryesorë të saj është ai i ‘qëllimit’. Nuk ka pasur asnjë moment dakordësie të qëllimshme nga ana e djalit për të qenë me një vajzë të mitur, sepse ai nuk e dinte moshën e saj. As ai, as vajza, madje as prindërit e tyre nuk e dinin moshën e saktë, pasi bëhet fjalë për njerëz të paarsimuar. Në këtë rast, mungesa e qëllimit është një element thelbësor, që do të thotë se nuk kemi të bëjmë me një vepër penale. Për ne, akuza duhet të pushohet, ose nëse kjo nuk ndodh, atëherë patjetër duhet të ketë një rikualifikim të veprës penale. Nuk mund të klasifikohet sipas nenit 100, pika 2, që parashikon një dënim prej 25 vitesh burg.”

