Çmimi i banesave dhe qirave në qarkun e Korçës vijon të rritet ndjeshëm, por sipas të dhënave, ende nuk ka arritur kulmin e rritjes. Aktualisht, 1 metër katror banesë tregtohet me 800 euro, por dihet se çmimet janë disa herë më të larta në zonat kyçe. Ndërkohë, një problem i madh mbetet mungesa e pronave të lira.
Edhe pse ka një pjesë të pronave në stok, këto të fundit janë bllokuar nga shqiptarët e diasporës. Megjithatë, trendi i kohëve të fundit tregon se blerësit nuk janë më shqiptarët e diasporës, por kryesisht ata që jetojnë në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, të cilët i zgjedhin këto banesa për përdorim sezonal.
Ndërkohë, në fshatrat turistikë, sipas Krekës, kanë nisur masivisht ndërtimet, pasi edhe atje interesi për blerje të pasurive është rritur ndjeshëm.
Agjentët imobiliarë thonë se në qarkun e Korçës, Pogradeci mban rekordin e shtrenjtimit të pronave. Ndërsa edhe në këtë qytet pritet që së shpejti t’i hapet rrugë ndërtimit të objekteve të reja.
Sipas të gjitha kalkulimeve, me trendet aktuale, pritet që çmimet e pronave të vijojnë të rriten për shkak të mungesës së pronave të lira, taksave të shtuara shtetërore mbi pronat dhe, në rastin e objekteve të banimit, edhe për shkak të shtrenjtimit të materialeve të ndërtimit.

