Nga Elkier Bushkolaj/ Leksione nga Primaret!
Primaret ekspozuan dhe njëherë faktin se lista e deputetëve të Partisë Demokratike e 2021 në pjesën dërrmuese të qarqeve nuk kishte asnjë lidhje me bazën dhe se qytetarët nuk duan më deputetë virtualë ose me qira, që hallet e tyre i qajnë vetëm nga foltorja e Parlamentit dhe studiot televizive.
Me pak fjalë K (ndjekësit)në rrjete sociale dhe daljet televizive nuk e kanë vlerën e shtrëngimit dorës dhe kontaktit sy ndër sy me qytetarin atje në bazë.
Me këtë trend vote shumë prej drejtuesve politik të PD në qarqe në këto primare nuk do kishin kaluar as pragun.
Efekti i pushtetit lokal tregoi se është vendimtar, teksa në Bashkinë Mirditë kishte votues në primare më shumë sa në Bashkinë Vlorë që ka një popullsi 5 herë më të madhe.
Hasi treva me me numrin më të vogël të popullisë në raport me Kukësin e Bajram Currin nxorri kandidatin më të votuar në primare në këtë qark, një mjek që u shërben çdo ditë me devotshmëri qytetarëve të Krumës.
Në Pogradec një kandidat që nuk kishte as emrin në listën e votuesve të primareve se nuk ishte anëtar i PD, doli i dyti më i votuar, duke lënë pas deputetë të Qarkut Korçë.
Primaret përtej problematikave dhe kohës kur u mbajtën janë një standard që duhen vlerësuar në rrethanat kur partia në pushtet zgjedhjet e fundit me votë i ka bërë në 2016 kur ishte gara për drejtuesin e FREESH ku fitoi Eljo Hysko.
Pjesëmarrja masive në Primare në kushtet kur PD nga 61 Bashki të vendit drejton vetëm 6 Bashki dëshmon qartë se fryma është në favor të opozitës, por a do jetë opozita dhe kandidatët e saj në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve, këtë e tregon vetëm 11 Maji.

