Zgjedhjet e primareve brenda Partisë Demokratike janë një proces shumë i rëndësishëm, por ndërkaq edhe një garë tepër e fortë ndërmjet demokratëve të qarkut Korçë.
Mes kësaj gare, siç shihet, janë përfshirë 19 emra, ndër ta edhe 4 deputetët aktualë të qarkut Korçë, konkretisht Edmond Spaho, Sorina Koti, Bledjon Nallbati dhe Andrea Mano, të cilët kërkojnë vazhdimësinë e mandatit.
Lista vazhdon edhe me emra të cilët më herët kanë përfaqësuar demokratët në Kuvendin e Shqipërisë apo kanë qenë në listat e kandidatëve për deputetë, si Eleina Qirici, Ledina Alolli, Kristiano Koçibelli. Ndërkaq, në garën e primareve shihet edhe emri i mjekut Alfred Gega, i cili ishte kandidat për kreun e Bashkisë Maliq dhe humbi përballë Gëzim Topçiut.
Duket pra se në garën e primareve vetëm në dy bashki, konkretisht ajo e Ersekës dhe Pustecit, strukturat politike nuk kanë nxjerrë asnjë kandidat. Teksa dihet që këto primare do të bëhen në nivel qarku.
Ajo që vihet re këtë vit është se pjesa më e madhe e emrave të kandidatëve për primaret janë aktivistë të hershëm të Partisë Demokratike dhe anëtarë të strukturave drejtuese, përveç kandidatit Arbër Male, i cili aktualisht mban pozicionin e këshilltarit të pavarur në Këshillin Bashkiak Pogradec dhe vjen si një figurë jashtë radhëve të demokratëve, por i cili është angazhuar në kauza opozitare.
Duket se gara më e fortë pritet të jetë mes 4 deputetëve, të cilët duan të ruajnë emrin e tyre në listat e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Saktësojmë që për të hyrë në procesin e primareve është tërhequr nga pozicioni i kryetarit të PD-së së degës Pogradec ish-kryetari Genti Çela.
Ndërkaq, drejtuesi politik i qarkut, Ivi Kaso, është i përjashtuar sipas rregullores nga gara dhe hyn automatikisht në listën e mbyllur të deputetëve.
Gara pritet të nxjerrë 11 emrat e demokratëve që do të futen në zgjedhjet parlamentare, por nga diskutimet dhe burimet e brendshme brenda PD-së së qarkut Korçë, pritet që në garën e 11 majit, përpos kandidatëve që do të dalin nga primaret, të bashkohen edhe emrat e kandidatëve nga aleatët e Partisë së Lirisë.
Më Pak Vende për Korçën në Parlament
Duhet theksuar që në qarkun e Korçës, në këtë legjislaturë parlamentare do të ketë në total 10 vende në Kuvend, në krahasim me legjislaturën e mëparshme ku për Korçën ishin rezervuar 11 vende. Kjo erdhi për shkak të uljes së popullsisë.
Procesi i Votimit
Sipas informacioneve zyrtare brenda degëve të PD-së, në listat e votuesve për primare numërohen plot 8,754 anëtarë me të drejtë vote. Por, sipas udhëzimit të Këshillit Kombëtar të PD-së, në zgjedhje mund të votojnë edhe ata anëtarë të cilët nuk e kanë emrin në listë, por disponojnë një dokument anëtarësie.
Zgjedhjet kanë filluar prej orës 08:00 dhe pritet të përfundojnë në orën 18:00. Votimet po kryhen aktualisht në të gjitha degët, ndërsa numërimi do të kryhet pas përfundimit të votimit për të gjitha kutitë në qytetin e Korçës.

