Aksidentet me vdekje në punë nuk kursejnë as punëtorët e huaj dhe as pensionistët!
Aksidentet në punë në Shqipëri vijojnë të shkaktojnë bilanc lufte, teksa në harkun kohor të dy ditëve të fundit janë shënuar dy viktima në Qarkun Korçë, nga të cilët një punëtor nga Indi dhe në pensionist.
Pasditen e së shtunës në fshatin Floq të Korçës, një indian ka humbur jetën vendin e tij të punës në një gurore.
Shkak i këtij aksidenti ishte mungesa e kushteve të sigurisë teknike në vendin e punës.
Në një kohë që pensionistëve po premtohet parajsa dhe si vit zgjedhor shpërblimet janë në dimër në dhe në pranverë, realiteti ekonomik i tyre është i mjerë dhe i detyron të dalin të punojnë për të ndihmuar pensionin dhe për të mbijetuar.
Në qytetin e Ersekës ditën e premte një 70 vjeçar punonjës në ndërtim që do duhej të ishte duke shijuar pensionin, ka humbur jetën në vendin e punës pasi ka rënë nga skela.
Qëndresa Qytetare së pari i shpreh ngushëllime familjeve të viktimave dhe kërkon zbardhjen e rrethanave të plota këtyre ngjarjeve të rënda.
Së dyti Qëndresa Qytetare kërkon që Inspektoriati i Punës të kalojë në skaner kantieret e ndërtimit, guroret dhe minierat që janë kthyer në galeri vdekjesh.
Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, 194 njerëz kanë vdekur gjatë aksidentit në vendin e punë, në 5 vjet, nga 2018-2023. Në BE 1 në 1000 aksidente është fatal, ndërsa në vendin tonë 1 në 6 aksidente çojnë në humbjen e jetës së punëtorit.