Gentian Çala:
Drama e bujqve në fshtrat e fushës së Maliqit me prodhimet e pashitura dhe të hedhura nëpër ara apo buzë kanaleve vaditëse në fshatrat Zvirinë, Sovjan, Leminot, Orman e të tjerë, është e trishtë. Në takim me bujqit kupton se kulturat e qepës dhe të patates i kanë shitur kryesisht nën kosto. Rreth 200 ha me të tilla kultura të mbjella në Zvirinë dhe vetëm humbje. Asnjë ndihmë nga shteti dhe vetëm 7 litra naftë për një bujk, i cili na tha se vetëm fara e qepës kushtonte 3000 lekë të vjetra për kilogram. Bujqit, disa prej të cilëve kanë toka me qera kanë pasur edhe shpenzime më të larta. Propaganda qeveritare nuk ju jep mbështetje financiare bujqve, mungesa e subvencioneve ndihet kudo, kurse politika e konkurencës së padrejtë të krijuar nga produktet që vinë nga jashtë e kanë gjunjëzuar bujqësinë dhe bujkun shqiptar.
Opozita ka një plan të qartë për rimëkëmbjen e bujqësisë dhe të bujkut shqiptar, duke rritur fondet për bujqësinë dhe duke mbështetur bujkun me subvencione për njësi të kulturave të mbjella dhe për njësi prodhimi, duke subvencionuar inputet bujqësore, duke mbështetur modernizimin e mekanikës bujqësore, duke krijuar mundësi grumbullimi dhe përpunimi. Qeverisja e re do të ketë politika mbrojtëse ndaj prodhimeve bujqësore shqiptare.