Korçë – Një 26-vjeçar është plagosur me thikë pak minuta më parë në qytetin e Korçës. Sipas informacioneve, i riu ka marrë plagë në qafë dhe është paraqitur vetë në spital. Aktualisht ndodhet në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve.
I plagosuri do të transportohet me ambulancë drejt spitalit të Tiranës për mjekim më të specializuar.
Ende nuk dihet se kush e ka plagosur të riun, por paraprakisht policia dhe grupi hetimor po hetojnë për sqarimin e ngjarjes. Mësohet se plagosja ka ndodhur në lagjen 10 të qytetit të Korçës, ndërsa grupi hetimor po kryen veprime në një automjet tip Renault Clio, ku dyshohet se ka ndodhur edhe konflikti pranë tij.
Policia ka kontrolluar ambiente në gjithë zonën e lagjes 10 dhe është në punë e sipër për të identifikuar autorin e plagosjes. Gjendja e 26-vjeçarit, sipas bluzave të bardha, është jashtë rrezikut për jetën, por për shkak të plagës në pjesën e pasme të qafës, ka pasur nevojë për ndërhyrje më të specializuar.

