Edhe pse partitë politike kanë ndezur motorrët duke kryer takime kryesisht jashtë vendit me bashkëatdhetarët tanë në diasporë, përsëri janë të paqartë emrat e kandidatëve që pritet të jenë në listat e zgjedhësve në partitë politike. Duket se beteja është e fortë brenda strukturave për të nxjerrë në listë kandidatët e preferuar, por dihet që në të dyja partitë kryesore janë formuar grupime për të mbështetur individë të caktuar. Në Partinë Socialiste të Pogradecit diskutohen disa emra si persona të mundshëm për t’u përfaqësuar në listën zgjedhore, një ndër ta është juristi dhe ish-kryetari i kësaj partie Bledi Çomo, një figurë tepër popullore dhe me reputacion në rrethin e të majtëve Pogradecar.
Çomo ishte në garë edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 dhe mori një numër të konsiderueshëm prej 5787 votash personale në rang qarku, por në atë kohë nuk arriti të thyente hersin. Ndërsa një pjesë e madhe e votave të Pogradecarëve shkoi edhe për Blerina Gjylametin, preferencën e qëndrës për Pogradecin, e cila mori mandatin dhe u largua nga juglindja. Me gjasë nëse nuk do të kishte kandidaturë të inponuar nga qendra, Bledi Çomo mund të ishte kandidat i cili mund të thyente hersin dhe të ishte në kuvend.
Por, socialistët Pogradecar, po diskutojnë edhe disa emra të tjerë.
Një prej tyre Andi Shkira, aktivist i PS që në strukturat rinore, por prej vitesh i vendosur në kryeqytet. Nuk dihet nëse Shkira do të marrë mbështetjen e bazës dhe qëndrës për të qenë në listën e kandidatëve në Pogradec, por dihet që ai i ka shtuar vizitat dhe paraqitjet publike në muajt e fundit në qytet duke bërë publike ambicien e tij.
Drejtuesi i ZVA Pogradec Sotiraq Mangëri, i cili ka mbajtur një sërë pozicionesh politike dhe publike në qeverisjen e majtë, është një ndër emrat që qarkullon brenda strukturave si kandidaturë e mundshme për deputet në zgjedhjet e 11 majit. Mangëri ka një reputacion pozitiv në qytet, si një figurë më tepër profesionale, sesa teknike në PS. Ai ka drejtuar këshillin bashkiak nga viti 2019 – 2023, kur edhe socialistët kishin shumicën për shkak të tërheqjes së opozitës.
Erind Bejko është një tjetër socialist Pogradecar, i vendosur në Tiranë, i cili ka një mbështetje të madhe nga qendra dhe mund t’i imponohet strukturave lokale për këto zgjedhje, megjithëse ambiciet e këtij të fundit kanë qënë më tepër për kandidat për kryebashkiak në zgjedhjet vendore. Bejko është pjesë e grupimit Veliaj në PS. Edhe pse është një emër i cili nuk është përmendur më zë të lartë në strukturat e të majtëve, përsëri në rrethe të ngushta të PS Pogradec, emri i tij është lakuar shpesh.
Gjithsesi edhe pse emrat janë lakuar në disutime dhe mbledhje mes të majtëve, nuk dihet se kush do të vendoset përfundimisht për të qenë në listë dhe për të përfaqësuar në kuvend Pogradecin. Veç tyre nga platformat e PS, janë përmendur emra të tjerë si Alfons Olldashi dhe Pavli Prifti.
Një tjetër situatë shfaqet në kampin blu, ku nuk dihet nëse listat do të përcaktohen nga primaret apo do të vendosen nga partia, por me gjasë më shumë mundësi ka që lista të vendoset e mbyllur nga drejtuesi i qarkut, një mënyrë për të minimizuar përçarjet tek strukturat. Disa emra janë gjërësisht të përmendur mes të djathtës Pogradecare, por që ende nuk kanë deklaruar hapur ambiciet.
Kreu i PD Pogradec Genti Çela është një ndër emrat që ka shprehur ambicie për të qenë në listat e opozitës në zgjedhjet e 11 majit, por sipas urdhërit të fundit të qendrës ai duhet të lerë më parë pozicionin e kryetarit të degës për të kandiduar. Nuk dihet nëse Çela do të marri përsipër rriskun për të lënë pocizionin si drejtues i degës në rrafshin politik. Prej 17 prillit 2022 Genti Çela mban pozicionin e kreut të PD Pogradec, ndërsa që në fillesat e foltores është pozicionuar krahë Berishës, duke kundërshtuar Lulzim Bashën, i cili mbante atëherë detyrën e kryetarit të PD-së zyrtare.
Mes strukturave dhe kryesisë së degës së PD-së në Pogradec, është lakuar shpesh emri i Këshilltarit të pavarur Arbër Male, si emër i mundshëm tek kandidatët për deputetë të opozitës. Male është një ndër aktivistët më të njohur të qytetit dhe një ndër personat me popullaritet tepër të lart publik në qytet dhe deri tani ka përfaqësuar qytetarët edhe në këshill bashkiak, pa ngjyrime politike por duke mbajtur një vijë totalisht opozitare dhe kritike për pushtetin vendor. Nuk dihet nëse Male do të shprehë ambicien për përfshirjen në strukturat e Partisë Demokratike dhe më pas dëshirën për të hyrë në listat e kandidatëve për deputet. Emri i tij vijon të lakohet shpesh në diskutimet mes të djathës në nivel drejtues vendor.
Zini Tollozhina është një tjetër emër i cili po diskutohet në strukturat e PD-së për t’u përfshirë si kandidaturë e mundëshme për deputet. Ai ka qenë kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e fundit, por nuk mundi të merrte fitoren përball kandidatit të PS Ilir Xhakolli. Nuk dihet nëse strukturat do të vendosin t’i japin përsëri Tollozhinës mundësinë për të kandiduar si deputet.
Por nëse listat do të jenë të përbashkëta me PL, që me gjasë do jenë të tilla, nga aleatët më i lakuar brenda PL është emri i Doktor Gentian Çalës, i cili njëherazi mban pozicionin e Sekretarit Politik të PL-së, Qarku Korçë. Çala gëzon mbështetjen strukturave të PL-së në nivel qarku dhe prej vitesh drejton edhe degën e PL në këto zgjedhje. Edhe më herët në zgjedhjet e 2021-shit, i rreshtuar i dyti në listë, mori 1978 vota individuale ku u konsiderua i dyti me diferencë të ngushta votash me Endrit Brahimllari, i cili njëherazi ishte drejtues politik i qarkut. Emri i Çalës nëse do të arrihet marrëveshje politike mes PD dhe PL mund të jetë edhe në listën e mbyllur, si kandidat i aleatëve në një qark ku ish LSI-ja, ka pasur bastionin e saj.
Mes diskutimeve në struktura dhe emrave të tjerë të cilët lakohen si kandidatura të mundëshme janë Albana Prifti, dhe një tjetër person, i cili aktualisht zhvillon profesionin e mjekut në kryeqytet. Por ende nuk dihet plotësisht si do të shkojë fati i listave të opozitës dhe nëse PD-ja do të ketë emra të denjë për Pogradecin./Pogradecipress.al