Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi vendimi i Byrosë Shqiptare të Sigurimit për reduktimin e tarifës së “Kartonit Jeshil” në vlerën 50 euro me afat 1-vjeçar, i vlefshëm për autoveturat me targa shqiptare, me të drejtën e udhëtimit vetëm në territorin e Malit të Zi.
Reduktimi i tarifës së “Kartonit Jeshil” ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e shumë banorëve që kanë lëvizje të shpeshta drejt vendit fqinj, kryesisht për arsye biznesi apo edhe punësimi.
Ndërkohë, tarifimi i automjeteve me targa shqiptare, me të drejtën e udhëtimit vetëm në territorin e Malit të Zi për një periudhë 15-ditore, mbetet i njëjtë, në çmimin prej 15 eurosh, siç ka qenë prej vitesh. Ky siguracion mund të blihet në pikat e kalimit kufitar, si në anën shqiptare ashtu edhe në atë malazeze.
Ndërkohë, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) ka përshëndetur këtë vendim, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm për lehtësimin e lëvizjes me një prim të reduktuar prej vetëm 50 euro në vit, në vend të 400 eurove që aplikoheshin më parë.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, megjithatë, i ka bërë thirrje Qeverisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të siguruar zbatimin e të njëjtës masë edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Sipas kësaj force politike, një vendim i tillë do të lehtësonte barrën financiare për banorët e Korçës dhe zonave të tjera kufitare, të cilët lëvizin shpesh për arsye familjare, ekonomike dhe kulturore drejt dy vendeve fqinje. Për më tepër, AMIE ka theksuar se qytetarët shqiptarë paguajnë aktualisht një nga tarifat më të larta të siguracionit në Europë, ndërsa në rajon kostot janë ndjeshëm më të ulëta.
Gjithashtu, në deklaratën e saj, kjo parti ka ngritur shqetësimin se qeveria duhet të marrë masa për të ulur koston e naftës në vend, duke argumentuar se një numër i madh shqiptarësh shkojnë për pazar në Maqedoni dhe Greqi për shkak të çmimeve më të favorshme.
Po ashtu, është ngritur edhe çështja e përdorimit të makinave me targa të huaja, që sipas AMIE, ndodh për shkak të taksave më të ulëta në vendet fqinje. Sipas saj, ulja e tarifave të sigurimit dhe taksave vendase do të stimulonte më shumë qytetarë të regjistronin makinat e tyre në Shqipëri, duke sjellë përfitime për ekonominë kombëtare.
“Kartoni Jeshi” është një detyrim ligjor për drejtuesit e mjeteve, i cili mbulon dëmet që mund të shkaktohen në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.

