Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, ka pritur sot në qytet homologen e tij nga Presheva, Ardita Sinani, së bashku me stafin e saj, në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit mes dy qyteteve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Filo e cilësoi këtë marrëveshje jo vetëm si një bashkëpunim institucional, por edhe si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve kombëtare mes shqiptarëve.
“Binjakëzimi i Preshevës me Korçën nuk është vetëm një marrëveshje institucionale, por është forcimi i lidhjeve tona kombëtare dhe një mundësi e hapur bashkëpunimi në fushën e arsimit, ekonomisë e shkëmbimeve kulturore,” – shkruan Filo.
Gjatë takimit, dy kryebashkiakët diskutuan edhe për mundësitë e aplikimeve të përbashkëta për fonde të Bashkimit Europian, si dhe për krijimin e kuotave të dedikuara për maturantët nga Presheva që dëshirojnë të ndjekin studimet e tyre në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës.
“Ne nuk jemi të ndarë, ne jemi bashkë!” – përfundon postimi i Filos, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy qyteteve për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve kudo që ndodhen.

