Një ndër arkitektët më të vjetër të qytetit të Pogradecit, ka kundërshtuar ndërtimin e kullave në breg të liqenit. Gjergji Ilo tha se në zonën në të cilën pritet të nisë ndërtimi i kullave, padyshim mund të investohe, por jo me objekte banimi të cilat cënojnë imazhin e qytetit. Ilo ndër të tjera tha se i gjithë qyteti është bërë një rrëmujë e madhe nga ndërtimet dhe shtesat e reja, duke i hequr kështu urbanizimin e rregullt të dikurshëm, ndërsa akti për ndërtimin kullave tek “turizmi i vjetër” pritet të jetë sulmi fatal për qytetin.
Fjala e plotë:
Për zonën që bëhet fjalë, për këtë ndërtimin, unë jam plotësisht dakord që në atë zonë detyrimisht duhet të ndërtohet diçka. Historikisht, në Pogradec ajo pjesë ka qenë si e përjashtuar, nuk ka pasur qarkullim. Vetëm gjatë periudhës së turizmit të vjetër ka pasur qarkullim. Por aty mund të ndërtohet vetëm një hotel me cilësinë më të lartë të shërbimit, me të gjitha aksesorët turistikë dhe jo një bllok banimi.
Gjatë 12-vjeçarit të kaluar, kemi zhvilluar gjithë bregun e liqenit, nga ura e liqenit deri më tej. Dhe unë personalisht, si një nismëtar i Partisë Demokratike këtu, gjithmonë kam menduar me vete: “Pse nuk erdhi demokracia në Shqipëri dy vite më vonë?” Sepse ato dy vite do të më kishin dhënë mundësinë të prishja edhe ato 15 shtëpi që kishin mbetur në hyrje të Pogradecit dhe qyteti do të kishte hyrjen dhe parkun më të bukur në Ballkan. 35 vjet nuk kanë mjaftuar për të prishur 15 shtëpi dhe tani që flasim për këtë që pretendohet të ndërtohet, bëhet fjalë për 50-60 shtëpi. Por ekziston edhe një kontradiktë tjetër.
Qytetarët e Pogradecit e kanë ende të freskët plagën e prishjes së këtyre shtëpive, sepse ndodhi në mes të viteve ‘80. Por ndryshe nga të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë, ndryshe nga Vlora, Durrësi, Saranda, këtu nuk u ndërhy në mënyrë barbare. Nuk u bllokua ky park, që është parku më i mirë i qyteteve të Ballkanit. Askush nuk ndërhyri, askush nuk manipuloi për të rikthyer ndërtimet aty. Dhe tani, papritur po fillohet të flitet për prishjen e këtij parku. Por pse? Ata që kanë pasur prona aty kanë qenë njerëzit më të mirë, por nëse do të lejojmë ndërtimin tani, atëherë kushdo që ka pasur pronë do të kërkojë të ndërtojë. Dhe kështu, do të humbasim bregun e Pogradecit dhe më pas nuk do të kemi më Pogradec.
Bregu i Pogradecit është pasuria jonë më e madhe. U shkatërruan blloqet e banimit shumë të mira që kemi pasur, si blloku në Lagjen Kala, blloku në repartin ushtarak dhe blloku te Shkolla “Koli Gusho”. Këto blloqe, të urbanizuara me rregull, distanca, hapësira dhe aksesorë, tashmë janë shkatërruar. Nëse shkatërrojmë edhe bregun, atëherë Pogradeci do të humbasë identitetin e tij dhe do të bëhet si një Gramsh apo Librazhd.
Prandaj unë mendoj se kjo është një çështje që duhet të na shqetësojë të gjithëve, ne qytetarëve të Pogradecit dhe gjithë Shqipërisë, sepse Pogradeci është një thesar kombëtar. Pogradeci është një mrekulli e natyrës dhe duhet të mbrojmë këtë aset të jashtëzakonshëm që i përket jo vetëm Pogradecit, por gjithë Shqipërisë.

