Pogradec, 11 janar 2025 – Dega e Partisë Demokratike në Pogradec organizoi sot një ceremoni festive për 34-vjetorin e themelimit të saj, ku morën pjesë figura të rëndësishme të politikës dhe mbështetës të shumtë nga qyteti.
Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Pogradec, Genti Çela, përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehu krenarinë dhe mirënjohjen për këtë moment të rëndësishëm:
“Me pjesëmarrjen e Prof. Dr. Sali Berisha dhe drejtuesin politik të Qarkut Korçë, z. Ivi Kaso, kremtuam sot 34-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në Pogradec.
Krenar për historinë, themeluesit dhe familjen tonë të madhe politike. Familjen e vlerave dhe parimeve më të mira, të besimit në Zot, familje, atdhe e liri.
Guximi dhe idealizmi i themeluesëve tanë, mbeten frymëzimi ynë i sotëm dhe i nesërm, i përjetshëm.
Gëzuar dhe fitore!”
Gjatë ceremonisë, drejtuesit lokalë dhe kreu i PD Sali Berisha diskutuan rëndësinë e vazhdimit të angazhimit politik për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe promovimin e vlerave demokratike. Ndër të tjera Sali Berisha tha se është besimplotë që në zgjedhjet e 11 Majit, Partia Demokratike e Shqipërisë do të fitojë dhe do të zbatojë programin e saj për përmirësimin e kushteve të qytetarëve të vendit.
Nga takimi në Pogradec, Berisha foli për pensionet, që sipas tij, në Shqipëri është shifër shumë më e ulët se vendet e rajonit.
“Po se, një pensionist në Shqipëri të marrë mesatarisht 170 euro, në Mal të Zi të marrë 450 euro. Kush ka qenë nga ju në Mal të Zi? Çfarë ka Mali i Zi? Nuk ka asnjë të 1/5 të pasurivë të Shqipërisë. Absolutisht! Po, pse, një pensionist në Maqedoni të marrë 280% të pensionit që marrim ne? Dhe të gjitha këto, me të gjitha dokumentet, ne ishim para të gjithëve në vitin 2013. Ata ishin ndën ne në pensione, ndën ne në rroga. Rumuni, kishte rrogën minimale në vitin 2013, 800 lei. Lexoni, shikoni sa e ka sot, 3300 lei. Kosova, shtet i sapoformuar, i shpallën pavarësinë, përsëri pensionistët marrin 30-40% më shumë se sa në Shqipëri. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh, sepse qeveria demokratike, që i thotë vetes përfaqësuese e qytetarëve, është e detyruar që të ardhurat që krijon t’i shpërndajë me qytetarët. Çfarë bënë këta? Ky ngriu rrogat e ulëta, ky ngriu pensionet, ky mashtroi me indeksimin e pensioneve”-tha Berisha.
Duke u ndalur te pagat, Berisha tha se Partia Demokratike ka planin e saj për duke vendosur minimunin jetik nëse merr pushtetin më 11 maj.
“Po rrogat e ulëta? Pse rumuni e rriti 4 herë rrogën e ulët, po Shqipëria po t’i vësh inflacionin pothuajse fare. A, prisni. Në rrogat qëndroi indiferent? Jo! Rrogat e larta i rriti në stratosferë. Sot, Shqipëria ka rroga më të larta se sa Sllovenia. Imagjinoni Sloveninë ju. Sllovenia ka rroga të barabarta me vendet e zhvilluara të BE-së. Dhe këtu, rrogat e larta janë më të larta se atje. Pra, çfarë kemi ne. Ne kemi programin tonë, zotimin tonë solemn, nga i cili do përfitojë çdo shqiptar që sot është në vështirësi, dhe jo vetëm.
Ne do vendosim minimumin jetik. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, çdo shqiptar që merr nën 200 euro, do marrë 200 euro. Dhe ai që nuk merr asnjë qindarkë, do marrë 200 euro. Edhe ai që merr 100 euro, do marrë 200 euro. Edhe pensionisti në fshat që merr 120 euro, do marrë 200 euro. Pensionisti në qytet që merr 170 euro, do marrë 200 euro. Dhe u garantoj se është vetëm hapi i parë. Se ligj do të jetë, çdo vit do të indeksohet.
Nuk do të ketë shqiptar që do marrë rrogë në sektorin privat, apo në sektorin publik ndën 500 euro. Jo, është jashtë çdolloj morali. Çfarë do bëhet me sipërmarrjet që, e kanë bazuar në rroga të ulëta? Do ulim taksat, do i ndihmojmë me të gjitha mënyrat. Nuk do pranojmë kurrë që t’i paguajnë nën 500 euro shqiptarët. Të eci sipërmarrja mirë, nuk të eci, ky është kushti. A po bëjmë ne një zbulim? Jo! Çdo vend i lirë demokratik, ka jo pagën mujore, por pagën e orës, që çdo orë je i detyruar të paguhesh kaq, dhe në qoftë se nuk jep atë pagë për orën, të vihen drynat”-u shpreh Berisha.