Një nga traditat më të veçanta dhe më të lashta të fshatit Pojan, në Maliq, është “Dita e Rrogecëve” ose Karnavalet, një ngjarje që kremtohet çdo vit në fillim të janarit. Ky rit, i trashëguar brez pas brezi, ka mbijetuar dhe është ruajtur me përkushtim nga banorët e fshatit, të cilët çdo vit i japin jetë kësaj festivaleje plot ngjyra dhe simbolika.
Qëllimi kryesor i kësaj feste është largimi i së keqes, frikës, inatit, mërive dhe urrejtjes nga njerëzit, duke përdorur veshje dhe kostume të frikshme. Sipas organizatorit Xhafer Gjyshllari, ky është një rit me rrënjë pagane, që vazhdon të kremtohet çdo vit me të njëjtat veshje dhe kostume tradicionale.
Në këtë ditë, disa nga personazhet kryesore të ceremonisë janë nusja, dhëndri, plaku dhe plaka, të cilët shoqërohen nga figura të tjera që mbajnë kambana dhe zile bagëtish, duke synuar largimin e së keqes dhe sjelljen e fatit dhe begatisë.
Këta personazhe përshkojnë rrugët e fshatit, duke krijuar një atmosferë festive që bashkon të rinjtë dhe të moshuarit në një ritual të përbashkët.