Dita e 6 Janarit, e njohur si Dita e Ujit të Bekuar, ka një shije të veçantë në familjet pogradecare, ku traditat dhe zakonet e vjetra vazhdojnë të mbeten në qendër të festimeve. Pas ceremonive fetare të hedhjes së kryqit në liqen, në shumë familje të qytetit ruhen zakonet e përcjella brez pas brezi.
Një ndër familjet që kremton këtë ditë, sipas traditave të hershme është familja Mato. Në shtëpinë e tyre takojmë 75-vjeçaren Margarita Mato dhe bashkëshortin e saj, Jovan Mato 82 vjeç.
Sipas traditës, Jovani kthehet në shtëpi me ujin e bekuar, të marrë nga liqeni në vendin ku është hedhur kryqi, duke kënduar këngën tradicionale. Me ujin e bekuar do të spërkatet shtëpia për të pasur një vit më të mbarë. Ndërkohë, Margarita në shtëpi përgatit gatimet tradicionale, mes të cilave kryesore janë petullat e fshira, ëmbëlsirat dhe kulaçi tradicional “mesha”. Në sofrën e tyre nuk mungon as vera dhe qirinjtë që ndezen për të kremtuar këtë ditë të shenjtë.
82-vjeçari Jovan kujton se, dikur në rininë e tij, ai dhe shokët e lagjes dilnin një ditë para festës për gjueti për mëllenja, një zakon që e ruanin me përkushtim. Nga ana tjetër, Margarita tregon se në të kaluarën vizitat për këtë festë ishin shumë të gjera, me qindra njerëz miq e familjarë vinin për të shkëmbyer urime, ndërsa sot vizitat janë reduktuar kryesisht tek rrethi i ngushtë familjar.
Një tjetër traditë e kësaj dite është pritja në shtëpi e djemve që kapin kryqin në ujë. Ata nderohen dhe “daroviten” me dhurata simbolike ose para nga familjet ortodokse pogradecare.
Kremtimi i Ujit të Bekuar është ruajtur me përkushtim edhe gjatë viteve të ndalimit të fesë. Margarita dhe Jovani tregojnë se si familjet pogradecare festonin fshehurazi në atë kohë, duke mos lejuar që traditat e tyre të harroheshin. Edhe atë herë prindërit e tyre përgatisnin tryezat me ushqime dhe fshehur të rinjtë kremtonin hedhjen e kryqit.
Sot, kjo ditë e shenjtë në fenë ortodokse kremtohet me po të njëjtin përkushtim. Hedhja e kryqit në ujërat e ftohta të liqenit të Pogradecit pasohet nga festime të ngrohta dhe tradicionale në familjet pogradecare, duke mbajtur gjallë trashëgiminë e lashtë shpirtërore dhe kulturore siç vetëm në Pogradec mund të ruhet./Pogradecipress.al