Lin/ Kisha që u shemb dhe u ndërtua bunker dhe bunkeri që tashmë është një kishë!
Në vitin 1967, me shpalljen e Shqipërisë si vend ateist nga regjimi, shumë objekte të kultit u shkatërruan. Kisha e Shën Nikollës në Lin nuk i shpëtoi këtij fati tragjik. Ajo u shemb dhe në vend të saj u ndërtua një bunker betoni, simbol i paranojës dhe izolimit të kohës. Për banorët vendas, ky akt shkatërrimi nuk ishte vetëm humbja e një ndërtese, por edhe zhdukja e një pjese të rëndësishme të identitetit të tyre kulturor e shpirtëror.
Pas rënies së regjimit komunist në vitet ’90, banorët e Linit e kthyen bunkerin në një hapësirë të shenjtë, duke e rikthyer simbolikisht në Kishë. Sot, kjo ndërtesë e veçantë ruan në vetvete dy histori kontradiktore: atë të izolimit dhe atë të ringjalljes.
Në vitin 1997 thuhet se disa të rinj të armatosur me mitroloz, nga vendi ku gjendet kisha bunker, kryenin të shtëna ndaj fshatrave të parë të Maqedonisë së Veriut, pra Radozhdës dhe Kalishtës. Kjo periudhë duket se krijoi kaos dhe frikë tek banorët e kësaj zone. Por nuk janë raprtuar të dëmtuar, megjithëse gjurmët e plumbave gjenden ende në disa banesa.
Bunkeri në majën e gadishullit të Linit, shërbeu edhe si sheshxhirim për disa filma Shqiptar. Mes tyre edhe filmi “Natë pa Hënë”. Ndërsa zona shpesh herë është bërë pjesë e filmave dokumentar, reportazheve apo kronikave televizive./Pogradecipress.al