Viti 2024 në volejbollin e femra ishte pa diskutim viti i Skënderbeut.
Korçaret kanë sunduar sportin e rrjetës në Shqipëri, duke dominuar në çdo kompeticion, madje sukseset kanë shkuar edhe në arenën mbarëkombëtare.
Vajzat e Orlando Kojës e kanë pasuruar muzeun e klubit me plot 4 trofe të fituar, nga 5 të mundshëm. Pika kulmore ishte fitimi i titullit kampion, i shtati në histori dhe i dyti në tri sezonet e fundit.
Në serinë e finaleve, Skënderbeu likuidoi me tri ndeshje Tiranën, duke festuar para mijërave tifozëve që kishin mbushur pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë.
Skuadra juglindore gjatë viti kalendarik 2024, ngiti lart edhe trofeun e dytë më të rëndësishëm në arenën kombëtare, teksa fitoi Kupën e Shqipërisë. Korçaret mundën edhe këtu në finale Tiranën me rezultatin 3-1 në takimin e luajtur në “Feti Borova”. Kjo ishte Kupa e nëntë në histori për Skënderbeun, e dyta radhazi.
Duke kaluar në arenën mbarëkombëtare, vajzat korçare mbrojtën fronin, duke u shpallur për herën e tretë radhazi kampione në Ligën Gjergj Kastrioti. Skënderbeu mundi Dritën e Gjilanit me rezultatin e pastër 3-0 në finalen e kompeticionit të përbashkët me ekipe nga Shqipëria dhe Kosova, takim i luajtur në Korçë.
Duke kaluar në gjysmën e dytë të vitit, skuadra e Orlando Kojës e filloi mbarë edhe sezonin 2024-2025, teksa fitoi kompeticionin e parë, Kupën e FSHV-së. Skënderbeu mposhti Tiranën me rezultatin 3-1 në sfidën që u zhvillua në sallën e Farkës.
I vetmi trofe i volejbollit të femrave që nuk mundi të shkonte në Korçë gjatë këtij viti ishte Kupa Pavarësia, teksa Skënderbeu u mund në gjysmëfinale nga Skënderaj. Ekipi nga Kosova më pas do të kalonte edhe Partizanin në finale, duke festuar në Farkë.
Ndërkohë, në gjysmën e parë të sezonit 2024-2025, ecuria ka qenë gjithashtu fantastike për korçaret, të cilat janë kryesuese në Superligë, janë kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës si dhe kryesojnë Grupin A në Ligën Gjergj Kastrioti. Rezultatet të shkëlqyera që kanë shpërblyer punën shumë të mirë që prej disa vitesh bëhet në këtë ekip./ panoramasport