Një automjet i paidentifikuar, i cili dyshohet të ketë qenë mjet i lartë (kamion), ka goditur një transformator të energjisë elektrike në një nga lagjet e fshatit Bucimas. Aktualisht, mbi 200 familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që grupet e punës së OSHEE-së kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, së bashku me Policinë e Shtetit, të cilët po angazhohen për të gjetur shkaktarin e kësaj ngjarjeje.
Dëmi në transformator është i madh, dhe do të kërkojë disa orë punë për të rikthyer gjendjen e mëparshme.
Vetë shkaktari i ngjarjes është larguar pas goditjes së vendit ku ndodhej transformatori në një lagje shumë të banuar. Ndërkohë, po punohet për kapjen e tij.
Sipas informacioneve zyrtare nga OSHEE, po shqyrtohet mundësia e vendosjes së një transformatori të ri, pasi ai ekzistenti është dëmtuar rëndë nga goditja dhe rënia.
Fatmirësisht, nuk ka pasur të lënduar nga elektriciteti në momentin e goditjes, edhe pse ky transformator ndodhet pranë banesave.

