Nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, është marrë informacion që sot e gjatë ditëve në vijim priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan, ndërsa në qarkun tonë dhe qarqet e tjera priten reshje deri mesatare, të cilat në zonat me lartësi mund të jenë edhe në formën e dëborës.
Është kërkuar rritja e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile sipas udhëzimeve nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si dhe të institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.
Strukturat e Mbrotjes Civile në nivel qarku dhe të bashkive do monitorojnë situatën në zonat me risk më të lartë, duke qenë në gatishmëri për çdo situatë.