Tiranë
Gazetari i mirënjohur Defrim
Met’hasani zgjidhet kryetar i Federatës Universale të Paqes,Shqipëri !
NGA FATMIR POPJA
Me moton “Ambasadorët për Paqe – shpresë për kombin”, Federata e Paqes Universale-Shqipëri organizoi më 16 nëntor 2024, në mjediset e Ambasadës së Paqes në Tiranë, mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Paqes, me qëllim analizën e punës së bërë gjatë katër viteve të kaluara dhe zgjedhjen e drejtuesve të rinj për mandatin 2024 – 2028. 110 kryetarë dhe nënkryetarë të Këshillave Rajonale të Paqes, kryetarë të Këshillave Lokale të paqes, të zgjedhur nga asambletë lokale të Ambasadorëve për Paqe në çdo bashki, drejtues të komisioneve pranë Federatës së Paqes dhe Ambasadorë për Paqe me kontribute të veçanta, morën pjesë në punimet e asamblesë. Seanca e parë e asamblesë, iu kushtua analizës së punës së kryer nga Federata e Paqes Universale Shqipëri gjatë viteve 2020 – 2024. Fjalën e hapjes e mbajti znj. Rajmonda Stefa – kryetare e Asamblesë së Këshillit Kombëtar, e cila vlerësoi punën e bërë nga të gjitha strukturat e Federatës. Veprimtarinë e nderoi me pjesëmarrjen e tij Presidenti Alfred Moisiu, i cili është edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Paqes për Ballkanin. Në fjalën e tij Presidenti Moisiu falënderoi pjesëmarrësit dhe theksoi punën e mirë që ka bërë Federata e Paqes dhe Këshilli i Lartë i Paqes për Ballkanin në realizimin e ndërtimit të godinës së bukur të Ambasadës së Paqes në Tiranë (2021), për vendosjen e partneritetit me Klubin e Podgoricës dhe organizimin e disa konferencave ballkanike për paqen dhe sigurinë. Asamblenë e nderoi me praninë dhe përshëndetjen e tij edhe kryetari i Federatës së Paqes Universale për Evropën & Lindjen e Mesme z. Jacques Marion. Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe z. Luigj Junçaj – Ambasador për Paqe dhe ish Ministër për Pakicat në qeverinë e Malit të Zi.
Kryetarja e Federatës së Paqes, Dr. Eva Çipi, në fjalën e saj bëri një analizë të veprimtarisë së Federatës gjatë 4 viteve të kaluara, duke përmendur faktin që gjatë kësaj periudhe, janë organizuar 244 veprimtari nga Këshillat e Paqes dhe Komisionet pranë Federatës, si edhe Këshillat Shqiptare të Paqes në Ballkan dhe diasporë. Në to kanë marrë pjesë rreth 27.500 vetë, ndërsa 1373 personalitete në nivel kombëtar dhe lokal janë vlerësuar me titullin “Ambasador për Paqe”. Më pas, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Paqes, z. Gani Rroshi bëri një prezantim të detajuar të veprimtarive të organizuara në çdo qytet, nga këshillat lokalë përkatës. Në fund të seancës, në shenjë falenderimi dhe vlerësimi për punën e bërë gjatë katër viteve, kryetari i Federatës së Paqes për Evropën z. Marion i dorëzoi Kryetares së Federatës së Paqes Dr. Eva Çipi dhe Kryetares së Asamblesë Znj. Rajmonda Stefa një pllakatë mirënjohjeje.
Në seancën e dytë të punimeve të asamblesë u kryen zgjedhjet për organet drejtuese të Federatës së Paqes Universale, respektivisht kryesisë së Asamblesë së Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së Këshillit Drejtues. Fillimisht, z. Ali Laçej – Koordinator i Këshillit Mbarëkombëtar të Paqes, bëri një paraqitje të punës dhe veprimtarive të organizuara në trojet tona në Ballkan dhe qëllimet për të ardhmen. Më pas, Z. Gaqo Apostoli – Koordinator Kombëtar i Këshillave Shqiptare të Paqes në diasporë, prezantoi veprimtaritë e këshillave shqiptare dhe shtrirjen e tyre gjatë katër viteve të kaluara.
Në emër të kryesisë së Asamblesë Kombëtare dhe Këshillit Drejtues të Federatës së Paqes, pjesëmarrësit i përshëndetën nënkryetarët respektivë Dr. Astrit Memia dhe z. Abdulla Domi.
Në emër të komisioneve pranë Federatës së Paqes, përshëndetën dhe prezantuan veprimtaritë e komisioneve të tyre z. Bujar Topçiu – kryetar i Komisionit Ndërfetar për Paqe; z. Myzaljen Hoxha – kryetar i Komisionit për Paqe dhe Zhvillim Ekonomik; dhe Dr. Saemira Pino – kryetare e Komisionit të Akademikëve për Paqe, i cili ka patur edhe numrin më të madh të veprimtarive.
Në emër të Këshillave Rajonale të Paqes pjesëmarrësit i përshëndetën z. Dëfrim Methasani – kryetar i Këshillit Rajonal të Paqes Tiranë; znj. Suzana Numani – kryetare e Këshillit Rajonal të Paqes Fier; dhe z. Ymer Hoxha – kryetar i Këshillit Rajonal të Paqes Berat.
Një moment i veçantë për të gjithë pjesëmarrësit në asamble ishte performanca e mrekullueshme e Ambasadorit për Paqe, anëtarit të Këshillit Kombëtar, artistit të madh z. Bashkim Alibali, i cili këndoi dy këngë të bukura.
Në fund të seancës, në një atmosferë shumë të ngrohtë, familjare dhe konsensusi të plotë, u bë zgjedhja e drejtuesve të rinj të strukturave të Federatës së Paqes Universale Shqipëri, si vijon:
-Kryesia e Asamblesë së Këshillit Kombëtar të Paqes:
Prof. Asoc. Dr. Astrit Memia – kryetar
Prof. Asoc. Dr. Eva Allushi – nënkryetare
Z. Myzaljen Hoxha – nënkryetar
Znj. Marie Koliqi – nënkryetare
Dr. Arjan Starova – nënkryetar
-Kryesia e Federatës së Paqes Universale Shqipëri
Z. Dëfrim Methasani – kryetar
Dr. Saemira Pino – nënkryetare
Prof. Flamur Shehu – nënkryetar
Znj. Suzana Numani – nënkryetare
z. Abdulla Domi – nënkryetar !