Skënderbeu ka zbritur dje në fushë dhe ka nisur stërvitjen për të qenë gati për sfidën me Dinamon.
E gjithë vëmendja në kampin korçar është te kalimi i momentit të vështirë, pasi edhe pas barazimit në Durrës skuadra mbetet në pozita të vështira në renditje. Vendi i parafundit nuk u shkon korçarëve dhe është larg kërkesave të klubit.
Për kapitenin Elvis Prençi, Skënderbeu e ka potencialin për të lënë pas një moment të tillë. Sipas tij, ekipi ka vuajtur një ngërç psikologjik, që në momente të caktuara e ka ndëshkuar.
“Nuk po kalojmë një moment të mirë, kjo duket. Kemi pasur një ngërç psikologjik, që me barazimin me Teutën shpresoj ta kemi lënë pas. Duhet të reagojmë sa më shpejt.
Kjo situatë na ka kushtëzuar, në disa ndeshje shpërqendrimi në mbrojtje ka bërë që të pësojmë gola lehtësisht të evitueshëm. Po ashtu, problemi i finalizimit dhe ndërtimit të lojës, si pasojë e humbjes së qetësisë, na kanë krijuar vështirësi javët e fundit.
Mendoj se kjo periudhë e ndërprerjes do të na shërbejë shumë, sidomos në planin psikologjik”, theksoi fillimisht për “Panorama Sport” kapiteni i Skënderbeut.
MUNGESAT – Për mungesat si pasojë e dëmtimeve dhe pezullimeve, Prençi shprehet se sërish ekipi e ka kontigjentin për të zëvendësuar çdo lojtar që nuk është i gatshëm. “Kemi pasur mungesa dhe normalisht kur një ekip nuk është i plotë, kërkon kohë ambientimi.
Por nuk besoj se e kemi vuajtur shumë një gjë të tillë. Kemi 25 lojtarë që janë gati për të qenë në fushë në çdo moment. Shembuj ka plot të lojtarëve, të cilët sa herë u është dhënë shansi, kanë bërë mirë.
Edhe Nerguti së fundmi ka bërë mirë në një pozicion jo natyral, prandaj nuk kemi alibi në këtë pikë. Ne duhet të shohim përqendrimin mendor dhe të mundohemi të jemi sa më të qetë. Le të nisemi nga katër ndeshjet e fundit, ku në tri transferta të vështira kemi marrë 5 pikë.
Kjo është pikënisja jonë. Ajo që po mendojmë tani dhe që na shqetëson është distanca që po krijohet me vendin e katërt në renditje. Duam që në ndeshjen e radhës të tregojmë se jemi ende në garë për këtë vend dhe të rikthehemi te fitorja edhe në shtëpi”, e mbyll prononcimin e tij Prençi./ Korcaplus