Jep dëshmi dhe detaje tronditëse motra e të miturës që u abuzua për 4 vite radhazi nga një 43-vjeçar në një fshat të Maliqit:
“Ngjarjen e motrës sime e kam mësuar nga disa letra që ai i shkruante asaj. Aty përmendeshin marrëdhëniet që kishin pasur, takimet e tyre dhe gjëra të tjera. Mbaj mend se e kam mësuar rreth vitit 2021 këtë histori. Në atë moment u shokova, nuk po e besoja dot. Po lexoja letrën dhe nuk dija çfarë të bëja. Të them të drejtën, ishin gjëra tronditëse ato që shkruheshin aty; ai i premtonte që pasi të mbushte 18 vjeç do ta merrte dhe do të jetonin bashkë. Nuk e ruajta për kaq gjatë; mendova se thjesht kishte përfunduar, pasi po shikoja që nuk po takoheshin më dhe nuk flisnin. Mendova se ishte mbyllur si çështje.
Më pas, një ditë, babai më tha: “Shiko, se më kanë thënë të fshatit,” dhe e kuptova se gjendja ishte shumë serioze…
Ai ishte mik i babait tim dhe vinte ndonjëherë në stallë, si dhe merrte qumësht herë pas here nga ne. Të gjitha letrat i ka marrë prokuroria; kjo është prova e vetme që kemi dhe nuk ka ku të shkojë më, sepse ai u arratis. Ai e tregon qartë se ka kryer këtë vepër dhe është larguar. Po të ishte i pafajshëm, do kishte qëndruar si burrë dhe do të përballej.
Motra ime është në një gjendje shumë të rënduar dhe e gjithë familja jemi të tronditur. Ka ardhur psikologu dhe ka folur me motrën, por është e dukshme që ende ka nevojë për ndihmë. Motra nuk më ka treguar asgjë për vendet ku takoheshin, sepse ai i thoshte të mos i tregonte askujt. Këtë gjë e mësova vetëm nga deklarata që motra dha para policisë.”
Pyetjes nëse ndihen të kërcënuar për jetën nga autori që është ende i lirë, motra e 16-vjeçares përgjigjet:
“Unë, mami dhe babi nuk kemi frikë, sepse e dimë që policia do ta kapë dhe drejtësia do të vihet në vend, por motra ime ka shumë frikë. Shikon nga të katërta anët dhe thotë: “Kam hall se mos vjen ai.”
“Unë dhe familja ime nuk shitemi për para; prandaj kemi zgjedhur të punojmë këtu. Së dyti, ku ka zë, nuk është pa gjë. Personi në fjalë është i martuar dhe ka katër fëmijë: një djalë me gruan e parë që ndodhet në Greqi, dhe tre fëmijë me gruan e dytë. Ky ishte premtimi që i kishte bërë edhe motrës time: ‘Pasi të mbushësh 18 vjeç, do të të marr dhe do të ikim bashkë.’
“Të them të vërtetën, nuk e di nëse babai e ka marrë ndonjëherë me mend për ata të dy, por ai, në sytë tanë, nuk shfaqte asnjë dyshim të tillë. Kur ishte me motrën, qeshte shumë me të. Këtë di të them.”