Shqiptarja.com dhe Report Tv, shkruajnë: KORÇË– Gazetari i Report Tv në Korçë, Armand Braho është përballur sot me një incident të rëndë, ku është kërcënuar nga një punonjës i Bashkisë së Pogradecit gjatë ushtrimit të detyrës si gazetar për pasqyrimin e një aktiviteti.
Gazetari Braho ka bërë edhe një reagim mbi këtë incident të rëndë, ku thotë se është kërcënuar dhe ofenduar nga Ylli Blacëri, me detyrë shofer në Bashkinë e Pogradecit. Braho thotë se kjo ishte një përpjekje për të penguar dhe ushtruar presion ndaj tij për shkak të misionit të tij si gazetar.
Për rastin në fjalë, gazetari Braho i është drejtuar organeve kompetente me një kallëzim për shoferin e Bashkisë Pogradec, Ylli Blacëri, i njohur ndryshe me pseudonimin “Ylli Cepi”.