TIRANË /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit po realizon një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore.
Pas miratimit të disa vendimeve të rëndësishme në mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, ka nisur puna në disa fusha të ndryshme të vendit në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet lokale.
Në bashkëpunim me bashkinë e Divjakës, FSHF po investon në ndërtimin e një fushë me bar artificial në Çermë Sektor në njësinë administrative Tërbuf. Momentalisht po punohet për bazamentin dhe punimet për shtrimin e tapetit artificial nisin në muajin nëntor.
Në bashkëpunim me bashkinë e Librazhdit ka nisur puna për ndërtimin e dy fushave me bar artificial. Edhe në Librazhd po punohet për bazamentin dhe në nëntor pritet të fillojnë punimet për shtrimin e tapetit artificial të dy fushave.
Në Korçë, në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” do të vendoset tapet i ri për terrenin stërvitor dhe punimet pritet të nisin në nëntor.
Gjithashtu, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” do të shtohet një fushë e re stërvitore me bar artificial për ekipet kombëtare të moshave. Është porositur tapeti dhe punimet do të nisin në muajin nëntor.
Këto investime të rëndësishme janë pjesë e projektit “100 fushat”, me qëllim për të rritur cilësinë e futbollit në Shqipëri dhe për të ofruar kushte më të mira për futbollistët.