Një tjetër yll shqiptar po shndrit në arenën sportive ndërkombëtare, këtë herë në kampionatin e volejbollit në Bosnjë-Hercegovinë. Paola Gjata, vajza e talentuar nga Pogradeci, po tërheq vëmendjen për paraqitjet e saj të shkëlqyera në radhët e klubit “Zok Oraseje”. Aktualisht në javën e katërt të kampionatit, ekipi i saj renditet në vendin e tretë dhe Paola ka spikatur veçanërisht në pozicionin tre.
Përveç aftësive të saj në fushë, një tjetër element i veçantë që e dallon është përkushtimi i saj ndaj origjinës. Në çdo ndeshje të zhvilluar brenda vendit, Paola ngre me krenari flamurin shqiptar, duke nderuar dhe përfaqësuar vendin tonë me pasion dhe dedikim.
Paola Gjata është një shembull i shkëlqyer i asaj se si të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të lartësojnë emrin dhe kulturën e tyre përtej kufijve, duke treguar përkushtim, talent dhe krenari kombëtare në çdo hap të karrierës së tyre.
Gjata fillesat e saj në volejboll i ka në qytetin e lindjes në Pogradec, më pas u zhvendos në skuadrën e Skënderbeut, nga ku dhe mori cmimet më të rëndësishme të kampionateve të zhvilluara. Ndërsa këtë sezon, Gjata është zhvendosur në Bosnjë-Hercegovinë. Talenti i të resë Pogradecare po spikat edhe jashtë vendit, ndërsa karriera e saj premton për të kapur majat e volejbollit./Pogradecipress.al




