Temperaturat përvëluese të verës që lamë pas duket se vazhdojnë të tregojnë pasojat në sektorin e bujqësisë. Këtë vit, për shkak të temperaturave që kaluan 30 gradë Celsius gjatë periudhës së lulëzimit të bimës së fasules, lulet e saj u dëmtuan dhe u dogjën nga dielli. Në këto kushte, sasia e prodhimit ishte shumë e ulët, ku nga 100-150 kg për dynym, sivjet janë prodhuar vetëm 15-25 kg për dynym, duke llogaritur që më shumë se 10 kg janë përdorur vetëm për farë.
Në këto kushte, fermerët kryesorë të kultivimit të kësaj kulture bujqësore në Pojan dhe Kreshpanj të Maliqit shprehen se, përpos shpenzimeve për punëtorët, vaditjen apo mjetet bujqësore, këtë vit nuk arritën të mbulonin as kostot minimale. Edhe pse çmimi këtë vit në tregun me shumicë ka arritur në 600 lekë për kg, përsëri fermerët nuk janë të kënaqur. Ndërsa një vit më parë, çmimi ishte nën 300 lekë për kg.
Ata shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti, ndërsa subvencionet për naftën, të cilat sipas tyre janë llogaritur shumë ulët, ende nuk i kanë përfituar. Po ashtu, ende nuk është ngritur asnjë grup pune për llogaritjen e dëmeve dhe kompensimin.
Sipas informacioneve nga drejtoria e bujqësisë në Bashkinë Maliq, në të gjithë fushën janë kultivuar 320 hektarë me fasule në varietete të ndryshme, kryesisht të varietetit autokton “fasule krenare” por edhe pllaqi. Agronomët, të pyetur jashtë kamerave, bëjnë të ditur se sivjet rendimenti në prodhimin e fasules ka qenë më i ulët se 20%.

