Takim me operatorët turistikë në Pogradec
Operatorët turistikë në Pogradec kanë mbyllur një sezon veror tepër të suksesshëm, ndërsa vjeshta dhe dimri vazhdojnë të shënojnë kërkesa të larta, jo vetëm për këtë qytet, por për të gjitha destinacionet turistike në Qarkun e Korçës. Në këtë periudhë kur kërkesat dhe numri i vizitorëve të huaj po rriten dita-ditës, lind nevoja që pushteti qendror, ai lokal dhe bizneset të krijojnë paketa konkrete për të zgjatur ditëqëndrimet në juglindje të vendit. Për këtë arsye, Niko Peleshi dhe Olta Xhaçka kanë nisur takimet me operatorët turistikë, jo vetëm për të diskutuar këto zhvillime, por edhe për të dëgjuar problematikat që kërkojnë zgjidhje të shpejta apo afatgjata.
Në fjalën e tij, Peleshi theksoi se juglindja është një shembull i veçantë, pasi ka treguar se edhe në kohë të vështira ka ditur të zhvillojë turizëm, falë investimeve të realizuara, por mbi të gjitha, falë talentit të operatorëve turistikë për t’u përshtatur. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Ilir Xhakolli nënvizoi se kërkesa e lartë për të pushuar në Pogradec ka ndikuar në rritjen e vlerës së pronave në qytetin liqenor.
Sezoni që lamë pas, si edhe ai i vjeshtës ku ndodhemi aktualisht, ka qenë tepër i suksesshëm dhe me rritje të vazhdueshme për operatorët turistikë, aq sa prenotimet për vitin 2025 janë tashmë edhe më të larta.
Olta Xhaçka shtoi se nëse para 10 vitesh agroturizmi ishte thjesht një projekt apo ëndërr, sot juglindja dhe çdo qark i Shqipërisë e ka përjetuar si një realitet të prekshëm këtë sektor turistik.

