Prokuroria e Korçë ka kërkuar ndryshimin e mases së sigurisë për tre shtetasit Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe dhe Arjan Manellari, të akuzuar për “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” për vrasjen e Egli Progës nga autori Denis Meçe në 10 gusht të këtij viti.
Masa e sigurisë me kërkesë të prokurorisë ka ndryshuar pasi është konstatuar se ka pasur ndërhyrje në kamerat e sigurisë të lokalit në pronësi të Voltan Shkulakut, ky dyshohet se ato kamera kanë filmuar të gjithë ngjarjen. Ndërkaq kamerat e sigurisë po i nënshtrohen ekspertimit për të kthyer pamjet e fshira. Gjithashtu sipas burimeve tre shtetasit e arrestuar akuzohen se kanë fshehur nëpërmjet deklarimeve ngjarjen, si dhe nuk i kanë dhënë ndihmë të ndjerit. Prokuroria pritet të rikualifikojë veprën penale për shtetasit e ndaluar, teksa veprimet hetimore vijojnë nga Prokuroria e Korçës.
Njoftimi i Policisë: “Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ka bërë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetasve: V. Sh., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, banues në Pogradec.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”, për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 1 Pogradec, ku humbu jetën shtetasi E. P., 42 vjeç. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.”

